Deputeti i VMRO-DPMNE-së Mile Lefkov akuzoi se zv/kryeministri i parë Artan Grubi ka transferuar para në kompaninë e vëllait të tij, ETC Travel, Veton Grubi, për çka në foltoren në Kuvend prezantoi dokument që e ka marrë nga Financa të hapura. Edhe pse Lefkov ka kërkuar që në seancë të marrë pjesë prokuror publik që t’ia parashtrojë këtë pyetje edhe atij, prokuroi nuk ka ardhur, andaj pyetjen ia parashtroi zv/kryeministres për praktika të mira, Sllavica Gërkovska, nëse është njoftuar me këtë rast për konflikt interesash.
MILE LEFKOV, VMRO-
“Nga Qeveria e RMV-së saktësisht drejtpërsëdrejti nga ministria të cilën e udhëheq Artan Grubi, ai i cili si zv/kryeministër i parë nënshkruhet, i janë transferuar mjete financiare drejtpërsëdrejti vëllait të tij, Veton Grubi. Nga dokumentet e Financave publike shihet qartë rrjedhja e mjeteve, se si nga Qeveria përfundojnë në kompaninë ETC Travel, në pronësi të vëllait të Artan Grubit, zv/kryeministrit të parë”, tha Lefkov.
Në vend të Gërkovskës, në foltoren doli vetë Grubi. Tha se për të gjitha akuzat duhet t’i kërkojnë ndjesë, por sepse kjo nuk ka ndodhur, tha se tashmë ka dorëzuar padi për shpifje.
“Tashmë dorëzova padi, që të shihemi në gjykatë për gjithçka që e ka thënë, për të gjitha shpifjet. Do të shihemi, do t’i përballojmë faktet, duke përfshirë edhe atë që po e flet. Këtë tashmë ia shpjegova opinionit publik në një intervistë, nëse doni edhe juve do t’jua shpjegoj, të njëjtën që e morën të gjitha kompanitë në shtet gjatë pandemisë ishin subvencione nga buxheti i shtetit, të gjitha kompanitë, për periudhën kur nuk punonin, morën subvencione”, u shpreh Grubi.
Lefkov në seancën e sotme kërkoi që të hapet hetim për mbikëqyrjen e ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10D me vlerë prej 22 milionë eurove. Në lidhje me këtë kryeministri Kovaçevski u përgjigj se marrëveshja për mbikëqyrje është lidhur sipas të gjitha procedurave dhe rregullativave ligjore dhe projekti duhet të vazhdojë dhe të ndërtohet brenda afatit të paraparë.
