Grubi: Ju jeni fëmijë të Gruevskit dhe Mijallkovit/ Lefkov me pyetje deri te Kovaçevski për përfitimet e njerëzve të Grubit

TË FUNDIT

Pse po heshtni për përfitimet e njerëzve të afërm të zv/kryeministrit të parë Artan Grubi. Kjo ishte pyetja që deputeti i VMRO-DPMNE-së Mile Lefkov ia parashtroi kryeministrit Dimitar Kovaçevskit. Ai në pyetjen e tij foli për të gjitha akuzat ku gjatë këtyre ditëve në konferencat për media foli se vëllai i Grubit blen dyqan në rrugën Maqedonia prej gjysmë milionë euro, por edhe për mashtrime përmes Byrosë për metrologji.

“Pse qeveria e udhëhequr prej jush nuk ka asnjë qëndrim për skandalet e shumta që dolën në opinionin publik. Si njerëz të afërm të Grubit marrin akreditime për laboratori, si lejohet që të grumbullojnë biznese me shumë milionash dhe pronë derisa qytetarët varfërohen. Si vëllai i Grubit po blen dyqan prej gjysmë milionë euro kur kompania e tij tashmë 4 vjet punon me humbje. Prej ku e kanë prejardhjen këto paratë?”- deklaroi Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.
Edhe pse pyetja ishte për kryeministrin, në foltoren doli zv/kryeministri i parë Artan Grubi, që shkaktoi reagime të ashpra nga opozitarja VMRO-DPMNE, prej ku thanë se me këtë tregohet në fakt kush është kryeministri i kësaj qeverie. Grubi së pari i falënderoi kryeministrit që ia dha të drejtën për t’u përgjigjur pyetjes, pastaj e quajti VMRO-DPMNE-në shoqatë kriminele.
“Këta fëmijë të Sasho Mijallkovit dhe Nikolla Gruevskit, i dashur kryeministër, kolegë, për shkak se ata nuk do të dëgjojnë, por VMRO-DPMNE është nëna, babai, gjyshi, gjyshja, që e ka shpikur korrupsionin, ka doktoraturë për korrupsion. Pra, plaçkitje që nga dita e parë deri në ditën e fundit andaj më së miri e dinë se ku është mjalti për t’i futur brenda duart. Andaj çdo hajdut në të tjerët sheh hajdutë dhe çdo kleptoman në të tjerët po sheh kleptomanë.”- tha Artan Grubi, Zv/Kryeministër I Parë.
Pyetjet e sotme të deputetëve edhe pse ishin caktuar për në orën 11, filluan shumë më vonë. Së pari u prolonguan për shkak të seancës paraprake për shkarkimin e ministrave, ndërsa pastaj mbi dy orë përgjigjeshin në pyetjet e vjetra, ndërsa me pyetjet e sotme filluan në orën 15.30. Opozita akuzoi se pushteti me qëllim e bën këtë që opinioni publik ta humbë interesin dhe t’i mos i dëgjon pyetjet e deputetëve të opozitës.