Grubi dhe Zekiri premtuan shkollë në Idrizovë

TË FUNDIT

Viti 2019, fshati Idrizovë Shkup.

Artan Grubi dhe Muhamed Zekiri atë kohë si deputetë, u ulën në qoshe si dëshmitarë të premtimit për ndërtimin e shkollës fillore në Idrizovë.

Në vitin 2019 në këtë objekt prapa meje në fshatin Idrizovë ishin Artan Grubi, Muhamed Zekiri, Arbër Ademi si dhe kryetari i Gazi Babës Boris Georgievski. Ata u premtuan banorëve se shumë shpejt do të ndërtohet një shkollë këtu në fshatin Idrizovë.

Tani në vitin 2021 gjërat ndryshuan.

Artan Grubi u bë zv/kryeministër i parë, e Muhamed Zekiri u bë sekretar gjeneral i Qeverisë, por shkolla nuk u ndërtua.

Bajram Bejta sot erdhi në objektin ku u dha premtimi. Ai thotë se në kontratën që funksionarët e bënë me prindërit ishte që deri sa të ndërtohet shkolla nxënësit të mësojnë në fshatra tjerë.

 “Ai ka qenë i detyruar, se ka qenë e nënshkruar ka pasur kontratë në mes neve, ne kemi pranuar që fëmijët me i dërgu në tjetër shkollë e kemi nënshkruar në kontratën, ku në kontratë shkruan se me siguri do të bëhet shkollë në vitin 2020-2021. Ajo nuk është realizuar, po ne fatkeqësisht sikur po e shohim afatet të gjitha kanë përfunduar dhe është vështire që gjatë këtij viti do të fillon ndërtimi i shkollës tek ne”, tha kryetari i Këshillit të prindërve.

E sot asnjëri nga të dy nuk kanë një përgjigje për premtimin që u dhanë banorëve.

Zëvendëskryeministri i parë nuk iu përgjigj pyetjes sonë se përse premtimi për ndërtimin e shkollës nuk u realizua.

Gjithashtu kërkuam përgjigje edhe nga Sekretari gjeneral i Qeverisë Muhamed Zekiri për premtimin e tyre, por ai na drejtoi tek komuna dhe ministria e Arsimit duke mos dashur të komentojë. Kjo ide për ndërtimin e shkollës fillore në Idrizovë erdhi pasi në shkollën fillore Njegosh në Jurumleri prindërit e nxënësve maqedonas nuk lejuan që fëmijët shqiptar të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.