Grubi: “Bechtel dhe Enka” po ndërton edhe në Serbi/ Jarevski: Atje janë zgjedhur me tender dhe me çmim dyfish më të ulët

TË FUNDIT

Zv.kryeministri i parë, Artan Grubi nëpërmjet Facebookut iu përgjigj akuzave të VMRO-DPMNE-së, e cila pohon se marrëveshja për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D është e dëmshme. Ai qëndrimin e tij e shkroi pasi që dje në Serbi u lëshua në përdorim korridori që e ka ndërtuar konsorciumi Bechtel dhe Enka. Me të njëjtin ligj dhe marrëveshje të veçantë kompania Bechtel dhe Enka ndërton edhe në Serbi. Autoritetet shtetërore lëshuan në përdorim një pjesë të autostradës, ka shkruar Grubi. Në lidhje me këtë me koment doli Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE, i cili thotë se autostrada në Serbi është me gjatësi të njëjtë si te ne, por me çmim dy herë më të ulët. Ai përmes kumtesës bëri krahasim mes marrëveshjeve për ndërtim të korridoreve te ne dhe në Serbi.

“Bechtel dhe Enka në Serbi janë zgjedhur në tender, tek ne drejtpërdrejtë pa tender, me marrëveshje të nënshkruar në katër sy. Autostrada përafërsisht është me gjatësi të njëjtë, në Serbi vlen 750 miliona euro, në Maqedoni vlera fillestare me të njëjtë Bechtel dhe Enka, vlen 1.3 miliarda euro. Një kilometër autostradë në Serbi vlen 7 milion euro, në Maqedoni 20 milion euro. Mbikëqyrjen në Serbi e kryen një kompani profesionale, në Maqedoni, kompani për tesha të brendshme me 4 punëtorë.”- deklaroi Toni Jarevski, VMRO-DPMNE.

Menjëherë pas kësaj me reagim doli zv.kryeministri Artan Grubi i cili thotë se VMRO-DPMNE gënjen.

“VMRO gënjen, edhe atë gënjen shumë dhe paturpësisht, ose thjeshtë nuk dijnë! Bechtel dhe Enka në Serbi ndërtojnë autostradën: Pa tender, Me Ligj special, Me Kontratë të njejtë sikur edhe ne, Me shtrenjtë se tek ne, me Konsulent shumë më të shtrenjtë se te ne. Deputetët vendosin nëse autostradat do të ndërtohen më shpejtë dhe më lirë ose më ngadalë dhe më shtrenjtë”- deklaroi Artan Grubi, zv.kryeministër.

Këto ditë në llogari të NP Rrugët shtetërore janë transferuar 117 milion euro të destinuara për punët përgatitore për korridorin 8 dhe 10D. Informacionin e tillë së pari e kumtoi VMRO-DPMNE-ja, e më pas e konfirmoi edhe pushteti, por opozita pohon se shteti deri më 6 maj do të duhet në mënyrë shtesë t’i paguaj Bexhtel dhe Enka-së gjoba më së paku 53 milion euro për shkak se ende nuk është sjellë Ligji për 60 orë pune në javë.