Gruaja e Pavardit, shqiptarja Kleofina Pnishi kap befasisht grupin e hajdutëve në kopsht! Tentativë plaçkitjeje në Marseille

TË FUNDIT

Shtëpia e futbollistit francez Benjamin Pavard në Marseille është vënë në shënjestër të një tentative vjedhjeje të mërkurën në mbrëmje, raportojnë mediat franceze.

Sipas “Le Parisien”, pesë persona dyshohet se hynë pa leje në pronën e mbrojtësit të Marseille, por u pikasën nga bashkëshortja e tij, Kleofina Pnishi, me origjinë nga Kosova. Ajo ka reaguar menjëherë duke njoftuar policinë, duke i detyruar të dyshuarit të largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Autorët u larguan me një automjet tip Mercedes, por pak minuta më vonë policia arriti ta lokalizojë dhe ta ndalojë makinën. Brenda saj ndodheshin pesë persona të moshës rreth 25–26 vjeç, të gjithë nga rajoni Île-de-France. Ata u arrestuan dhe u dërguan në paraburgim, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Sipas raportimeve, të dyshuarit dyshohet se kishin udhëtuar nëpër Francë me qëllim kryerjen e plaçkitjeve.

Nuk është konfirmuar nëse Pavard ndodhej në shtëpi në momentin e incidentit. Nuk raportohet për të lënduar.

Ky nuk është rasti i parë i tillë që lidhet me klubin e Marseille, pasi edhe trajneri Habib Beye ishte më parë viktimë e një vjedhjeje në shtëpi.