Rebelët e Sirizas të cilët e kundërshtonin paketën e fundit të ndihmës për Greqinë, thanë se do të formojnë një parti të re, një ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Cipras, i cili synon ri-zgjdhjen.
Rebelët nga partia në pushtet, ajo e krahut të majtë Siriza, kanë paralajmëruar se do të shkëputen nga kjo parti dhe të formojnë një parti të re. Kryeministri dhe lideri i Sirizas, Aleksis Cipras dha dorëheqje mbrëmë, duke u hapur kështu rrugë zgjedhjeve të reja. Ai e mori këtë vendim pasi e humbi mbështetjen e shumë prej deputetëve të tij në një votim mbi marrëveshjen për paketën e re të ndihmës me kreditorët ndërkombëtar, që u mbajt më herët gjatë muajit. Mediat greke raportojnë se 25 deputetë rebelë të Sirizas do ti bashkohen partisë së re, të quajtur Laiki Enotita, apo Uniteti Popullor. Partia do të udhëhiqet nga ish ministri i energjisë Panagiotis Lafazanis, i cili e kundërshtoi fuqishëm marrëveshjen e re të ndihmës. Një listë e deputetëtve të cilët do ti bashkohen partisë së re, që është publiuar në të përditshmen greke Ta Nea, tregonte se zëdhënësja parlamentare Zoe Konstan-topulu dhe ish-ministri i financave Janis Varufakis nuk ishin në mesin e anëtarëve të saj. Të dy poashtu e kanë kritikuar marrëveshjen, me zonjën Konstan-topulu që ka qenë ndër kritiket më të ashpra të ish-aleatit të saj Ciprasit.
Siriza ka fituar 149 ulëse në parlamentin prej 300 ulësesh në Greqi në zgjedhjet e janarit. Partia konservatore Demokracia e Re është radhitur e dyta, me 76 ulëse. Partia e re Uniteti Popullor bëhet partia e tretë më e madhe në parlament.
Në këmbim të sigurimit të paketës së re të ndihmës prej 86 miliardë eurosh nga partnerët evropianë, Cipras u desh të binte dakord mbi shkurtimet e dhimbshme ekonomike, duke nxitur kështu rebelim brenda partisë së tij.
Pas takimit të mëngjesit të sotëm me presidentin grek, liderit të partisë konservatore Demokracisë së Re, Vangjelis Meim-arakis iu dhanë tri ditë kohë për ta formuar qeverinë. Gjithsesi, observatorët thonë se ai nuk ka mbështetje të mjaftueshme dhe se zgjedhjet, të pestat në gjashtë vitet e fundit, do të thirren për 20 shtator.
