Për momentin mbetemi në planin tonë themelor, thotë zëdhënësi i Qeverisë greke, Stelios Pecas, duke u përgjigjur në pyetjen e korrespondentes së MIA-s nga Athina në brifingun e rregullt me gazetarët, sa i përket asaj se a mbesin në planin fillestar për hapjen e kufijve tokësorë më 1 korrik.
“I ndjekim nga afër karakteristikat epidemiologjike në të gjitha vendet sa na përket neve. Për fat të mirë shohim përafrim të të dhënave epidemiologjike në shumë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe nga vendet fqinje. Por, ekzistojnë disa në të cilat ka rritje. Ekzistojnë edhe vende të treta, jashtë Bashkimit Evropian dhe jashtë Shengenit. Sipas asaj e ndjekim këtë zgjidhje. Jemi në konsultim me autoritetet e Bashkimit Evropian dhe të gjitha njoftimet të cilat duhet të bëhen, do t’i kemi në ditët në vijim. Për momentin mbetemi në planin tonë themelor”, tha Pecas sa i përket kufijve, por edhe sa i përket asaj se a është Qeveria greke e shqetësuar për numrin e rritur të rasteve me Kovid-19 në vendet fqinje.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve sa i përket informacioneve se Evropa mendon që në vend se më 1 korrik t’i hapë më vonë kufijtë për disa vende, zëdhënësi i Qeverisë greke sqaroi se plani i Athinës është i njohur dhe i bërë i ditur publikisht, por edhe se është “plan që në vazhdimësi azhurnohet edhe në në bashkëpunim me autoritetet evropiane”.
“Temat tjera në lidhje me transportin tokësor ose ajror, për çdo ditë shqyrtohen dhe nëse nevojitet azhurnim i planit tonë, do ta keni me kohë”, shtoi Pecasi.
Sqaroi se po punojnë në sigurimin e mbrojtjes më të mirë të mundshme të turistëve, por edhe të popullsisë lokale dhe të të punësuarve në sektorin turistik, sepse për qeverinë më të rëndësishme janë siguria dhe shëndeti i të gjithëve.
“Gjendemi një javë para hapit të dytë më të rëndësishëm për hapjen e vendit tonë në turizëm. Vazhdojmë me përgatitjet që të sigurojmë mbrojtje më të madhe të mundshme të shëndetit të të punësuarve në këtë sektor, të banorëve të destinacioneve turistike dhe gjithsesi të vizitorëve tanë. Porosia të cilën e dërgojmë është e qartë. Brenga jonë e parë është siguria dhe shëndeti i të gjithëve. Dukuri të largimit nga puna nuk duhet të ketë, veçanërisht në transferin dhe objektet hotelierike”, tha Pecasi.
Paralelisht, shtoi se i shqyrtojnë edhe rezultatet nga testet e bëra deri më tani në pikat hyrëse në Greqi dhe i ndjekin të dhënat epidemiologjike në vendet e origjinës së turistëve.
Sa i përket humbjeve për Greqinë në pjesën e turizmit, Pecasi tha se është herët që të parashihet se sa do të jenë, duke theksuar se megjithatë ndikojnë në recesionin e thellë, për të cilin shtoi se qëllimi është që të bëjnë gjithçka që munden që të jetë e përkohshme./MIA
