Greqia pasnesër e hap vendkalimin Evzoni dhe e pret vendimin nga BE-ja për hyrje të shtetasve nga vendet e treta

TË FUNDIT

Greqia pasnesër hap shtatë vendkalime kufitare në kufijtë tokësorë me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bullgarinë, Turqinë, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë greke Stelios Pecas në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarët.

Lidhur me vendin tonë, siç u paralajmërua edhe paraprakisht, do të hapet vetëm vendkalimi kufitar Evzoni (Bogorodicë), derisa megjithatë në drejtim të tre vendeve të tjera do të hapen nga dy vendkalime kufitare.

“Prej pasnesër, do të lejohet edhe mbërritja e anijeve nga jashtë në portet greke. Në të njëjtën kohë, hapen pikat për hyrje në Evzoni, Kakavi,  Kristalopigi, Promahonas, Nimfea, Katanjes dhe dhe Kipi. Qeveria vazhdon të pëgatitet që të sigurojë mundësi maksimale të mbrojtjes shëndetësore të punëtorëve në sektor, banorëve të destinacioneve turistike dhe gjithsesi vizitorëve tanë”, tha Pecasi.

Megjithatë, lidhur me hyrjen në Greqi  të shtetasve nga vendet e treta, zëdhënësi i Qeverisë greke, në brifing me gazetarët sqaroi se i presin vendimet nga Bashkimi Evropian. Tha se bëhet fjalë për një diskutim të vështirë dhe nevojitet të pajtohen të gjitha vendet,  por theksoi se nëse nuk arrihet marrëveshje në nivel evropian, Greqia do ta bëjë të ditur pozicionin e saj.

“Për fat të mirë kemi mbërritur në fazë në të cilën ekziston listë e vendeve që me procedurë me shkrim dërgohet deri te shtetet anëtare që deri nesër të kemi finalizim të kësaj liste të vendeve. Në  çdo rast, nëse nuk ekziston marrëveshje në nivel evropian, më së voni deri nesër do ta dini pozicionin e Greqisë, sepse nga 1 korriku i hapim portet tona për botën”, sqaroi Pecasi.

Mediat në Greqi, ditëve të kaluara, duke iu referuar burimeve të BE-së, kanë shkruar se për një numër të caktuar  të vendeve të treta do të vazhdohet ndalesa për fluturime drejt vendeve të Unionit, ndërsa midis shteteve për të cilat do të vlejë ndalesa është përmendur edhe Maqedonia e Veriut, gjegjësisht se nuk do të lejohen fluturime nga vendi ynë në drejtim të fqinjit jugor./MIA