Greqia me reagim për shfrytëzimin e emrit të vjetër!

TË FUNDIT

Shefi alternativ i diplomacisë greke, Miltiadis Varviciotis paralajmëron se Greqia mund ta rishqyrtojë përkrahjen për procesin e zgjerimit të BE-së nëse vazhdojnë veprimet për mosrespektimin e Marrëveshje së Prespës. Një prej kushteve të vendosura në kornizën e negociatave është zbatimi i të gjitha dispozitave të Marrëveshjes së Prespës, tregon Varviciotis.

 “Porosia deri te Republika e Maqedonisë së Veriut është e qartë. Kthimi i retorikës nacionaliste do të sjell deri te ridefinimi i pozitës sonë nacionale për mbështetjen e procesit të zgjerimit. Një prej parakushteve të pashmangshme është zbatimi i përpiktë dhe i drejtë i Marrëveshjes së Prespës”, tha Mitijadis Varviciotis – ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë.

Ky reagimi i Varviciotis vjen pasi  këto ditë, pas zgjedhjeve lokale, një pjesë e kryetarëve të rinj të komunave por edhe këshilltarë nga radhët e VMRO-DPMNE, në Shtip dhe Aerodrom, nënshkruan deklarata solemne me emrin e vjetër të shtetit, “Republika e Maqedonisë”. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, tha se Marrëveshja e nënshkruar me Greqinë është realitet edhe pse atij nuk i pëlqen.

 “A na pëlqen ky realitet? Jo, nuk na pëlqen. Ja po ju them që nuk na pëlqen, por nëse nuk respektohet ai realitet në suaza të funksionimit administrativ të atyre institucioneve, atëherë do të kemi probleme në instanca tjera siç janë prokuroria, gjyqësori dhe kështu me radhë. A do të punojmë në atë realitet kur një ditë të kemi mundësi që ta ndryshojmë, ja po ua them – PO”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por pyetjes se në çfarë mënyre do ta ndryshoj këtë realitet, ndoshta me anulimin e Marrëveshjes me Greqinë, ai u përgjigj:

 “Jo unë thashë, a më pëlqen ai realitet, jo, nuk më pëlqen por nëse ai realitet është realitet, atëherë ai është realiteti që solli Zoran Zaevi. Këtë qëndrim unë e kam thënë edhe në të kaluarën dhe nuk është ndryshuar. Por normalisht, ky poshtërim kur do të ulemi në tavolinë me miqtë tanë një ditë do të mundohemi që t’i bindim se ky realitet është poshtërues për popullin në Maqedoni”, shtoi Mickoski.

Përndryshe, kryetarët e disa komunave i nënshkruan deklaratat solemne me emrin e vjetër të shtetit, Republika e Maqedonisë, duke u arsyetuar se Kushtetuta nuk është e harmonizuar me Ligjin për vetëqeverisje lokale. Për këtë me reagim doli edhe Ministria e Punëve të jashtme nga ku apeluan që komunat dhe këshilltarët në vazhdimësi ta zbatojnë emrin kushtetues të vendit.