Takimi në Shtëpinë e Bardhë ofron një mundësi dhe e hap derën e zhvillimit ekonomik dhe investimeve, deklaroi Riçard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan për bisedimet paqësore midis Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar takimit midis delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës më 27 qershor në Uashington.
“Shtetet e Bashkuara shpresojnë që liderët e Kosovës dhe të Serbisë do ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u rikthyer në dialog dhe për të filluar një epokë të re të stabilitetit dhe prosperitetit. Njerëzit në rajon nuk meritojnë më pak se kaq”, deklaroi Riçard Grenell për mediat serbe.
Sot delegacioni i BE-së në Serbi paralajmëroi se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Beogradin më 22 dhe 23 qershor.
“Gjatë vizitës, Lajçak do të takohet me zyrtarët kryesorë serbë për të shkëmbyer mendime mbi hapat specifikë dhe modalitetet e ardhshme për rifillimin e shpejtë të dialogut me ndihmë të BE-së,” theksohet në kumtesë.
Mirosllav Lajçak deklaroi në Prishtinë se janë krijuar kushte për vazhdimin e dialogut./MIA
