Grenell demanton Vuçiqin: Kosova dhe Serbia nuk kanë nënshkruar marrëveshje me SHBA-në

TË FUNDIT

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, Riçard Grenel, deklaroi se SHBA-ja nuk është palë në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Me këtë, Grenelli e ka demantuar deklaratën e djeshme të presidenti serb Aleksandar Vuçiq se Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale me SHBA-në për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Ata kanë nënshkruar marrëveshje që të punojnë së bashku, ata nuk kanë nënshkruar me SHBA-në. Ne nuk jemi nënshkrues”, tha Grenell në konferencën për shtyp në Uashington.

Ai shtoi se as nuk do të tentojë të sqarojë se çka ka menduar presidenti Vuçiq, kur iu drejtua mediave serbe.

“Atë që ai (Vuçiqi) e tha në sallën për mbledhje është se kjo është marrëveshje historike që do të kontribuojë për normalizimin e rajonit. Ai foli për mini Shengen zonën”, deklaroi Grenell.

Në pyetjen nëse Vuçiqi dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kanë nënshkruar marrëveshje të ndërsjellë, Grenell tha se kanë nënshkruar marrëveshje se do të punojnë së bashku për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare./MIA