Gostivari në krye të “statistikës ditore të Covid-19” me 22 raste të reja

TË FUNDIT

Gostivari me rrethinë kryeson në raport me qytetet e tjera për nga numri i rasteve të reja me koronavirus. për momentin, aktive janë pothuajse 300 raste. Autoritetet shëndetësore kumtuan se në tre komunat e Gostivarit në 24 orët e fundit janë zbuluar 22 raste të reja me Kovid-19.

Një nga konkludimet e shtabit komunal të krizës për komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë në takimin e fundit se virusi po përhapet mes qytetarëve në mënyrë të përshpejtuar, u tregua përmes numrave të sotëm. Kështu, për pothuajse një javë (prej 28 korrik 387) në rajonin e Gostivarit janë regjistruar 100 raste të reja.

Në rajonin e Gostivarit gjatë ditëve të kaluara në raporte pati numra dyshifrorë të rasteve të reja aktive. Sot është në krye dhe ka më shumë se rajoni i Shkupit dhe i Shtipit që e konfirmon edhe statistika e Ministrisë së Shëndetësisë.

Prej fillimit të pandemisë në tre komunat (Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë), pozitivë me Kovid-19 janë regjistruar 487 qytetarë. Prej tyre, aktivë llogariten 291, prej të cilëve dy të tretat janë në territorin e Komunës së Gostivarit. Deri më tani, si pasojë nga Kovid-19 kanë vdekur 24 persona.

Nga shtabi i krizës në takimin e fundit, përhapjen e përshpejtuar të virusit e vlerësuan si serioze, ndërkaq kjo ni referohet papërgjegjësisë së qytetarëve të cilët nuk i respektojnë masat. Për shkak të rritjes së numrit të rasteve të reja në rajonin e Gostivarit dhe mbrojtjes nga koronavirusi, u paralajmërua edhe dezinfektim i jashtëzakonshëm i sipërfaqeve publike. ab/