Përmes kësaj grafike me të dhënat ditore për pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin dhe Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar, Ministria e Shëndetësisë tregoi se ka rënë trendi i epidemisë në këtë qytet.
Siç shihet, kulmi i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka qenë më 18 korrik – gjithsej 649 pacientë, ndërsa dje, 24 korrik, janë paraqitur vetëm 80 raste.
“Sot kemi me rreth 80 pacientë të rinj më pak të regjistruar, që është një përgjysmim nga shifrat e mëparshme, dhe përfundimisht jemi në një trend rënës. Numri i përgjithshëm i të prekurve është rreth 4.000, ku deri më tani kemi arritur të anketojmë, domethënë janë paraqitur 750 me fletëparaqitje për sëmundje ngjitëse, ndërsa janë anketuar 490, kështu që mund të them se epidemia po hyn në një fazë qetësimi dhe po fillon faza e analizës së plotë epidemiologjike për përcaktimin e kronologjisë së ngjarjeve”, tha Sasho Klekovski – ministër i Shëndëtësisë.
Ministri Klekovski u bëri apel qytetarëve që të shmangin vetë-mjekimin dhe marrjen e terapive pa konsultim, duke theksuar se çdo pacient me simptoma duhet patjetër të kontrollohet nga mjeku amë, i cili do t’i përcaktojë terapinë përkatëse.
Por kur gostivarasit do të mund ta përdorin sërish ujin, qoftë edhe vetëm për pastrim?
Gjatë javës, kryeministri Mickoski tha se ka pritshmëri që në fundjavë të ketë sërish ujë, nëse gjithçka shkon sipas planit, por i pyetur për këtë, ministri i shëndetësisë, sot tha se matjet ende nuk tregojnë nivelin e duhur të klorit në ujë që ai të mund të përdoret si ujë teknik.
“Komiteti udhëheqës punon për këtë. Rezultatet e djeshme ishin të pamjaftueshme, sepse që uji të jetë i sigurt deri në një nivel, shihet se sa klor ka në ujë. Ende nuk është arritur niveli i dëshiruar. Bëhen analiza të rregullta të ujit në disa vende të matjes. Në momentin kur klorifikimi do të jetë në nivel të dëshiruar do të jepet leje për përdorim teknik të ujit”, u shpreh Sasho Klekovski – ministër I Shëndëtësisë.
Ministri Klekovski, deklaroi se në sistemin e paralajmërimit të hershëm për infeksionet në Gostivar është regjistruar një vonesë prej tre deri në katër ditësh, ndërsa autoritetet po analizojnë të dhënat mjekësore dhe raportimet për të përcaktuar saktë kronologjinë e ngjarjeve. Ai tha se përgjegjësi do të ketë, por theksoi se hetimi duhet të bazohet në fakte profesionale dhe jo në akuza apo presione publike. Sipas tij, aktualisht po kryhen analiza të detajuara përmes disa burimeve të pavarura, me qëllim identifikimin e dobësive sistemore dhe parandalimin e përhapjeve të reja të infeksioneve.
