Vedat Muriqi po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm në La Ligën spanjolle. Sulmuesi kryesor i Kosovës ka arritur kuotën e 45 golave në kampionatin iberik, duke u shndërruar në një nga protagonistët kryesorë të këtij edicioni.
I njohur për golat ndaj gjigantëve si Real Madridi dhe Barcelona, Muriqi vazhdoi serinë e tij edhe në sfidën ndaj Rajo Vajekanos, ndonëse Majorka u mposht në transfertë. Ai realizoi në minutën e 30-të, në një duel interesant me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, i cili u aktivizua më vonë në takim.
Ylli “dardan” po shkëlqen kryesisht në kampionat, pasi në Kupën e Mbretit ka shënuar vetëm një gol. Me 11 realizime në këtë edicion të La Ligës, Muriqi është në garë për Këpucën e Artë, në një konkurrencë të fortë me Ferran Torresin e Barcelonës, ndërsa kryesimin e mban Kilian Mbape i Real Madridit me 18 gola.
Sulmuesi i Majorkës është gjithashtu pranë rekordit personal në La Liga, pasi në sezonin 2022-2023 kishte realizuar 15 gola. Nëse vazhdon me të njëjtën fanellë, 31-vjeçari ka mundësi të hyjë në histori si golashënuesi më i mirë i klubit.
Aktualisht, Muriqi renditet i katërti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave te Majorka, ndërsa rekordin e mban legjenda Samuel Eto’o me 70 gola, 24 më shumë se sulmuesi shqiptar.
