Gjysmëmaratona e robotëve, një hap gjigant për robotikën

TË FUNDIT

Gjysmëmaratona e robotëve ka rëndësi botërore dhe është e vështirë të mos vihet re. Pothuajse në të gjitha botimet, mediat kryesore dhe rrjetet sociale mund të shohim robotë të ndryshëm humanoidë dykëmbësh në lëvizje, duke vrapuar për të përfunduar garën. Megjithëse është vetëm hera e dytë që zhvillohet gjysmëmaratona “E-Town” e robotëve humanoidë e Pekinit, kjo garë përbën një moment të jashtëzakonshëm me ndikim të rëndësishëm për jetën në të ardhmen.

Sepse robotët në këtë garë shfaqën aftësinë e tyre që shkoi përtej thjesht shpejtësisë, qëndrueshmërisë, qëndrimit elegant dhe ecjes së qëndrueshme. Ata vrapuan më mirë se një vit më parë, dhe të paktën katër prej tyre thyen rekordin botëror të gjysmëmaratonës për njerëzit. Robotët tani e kanë tejkaluar vrapuesin më të shpejtë njerëzor të gjysmëmaratonës.

Në mars të këtij viti, kur Jacob Kiplimo i Ugandës përfundoi gjysmëmaratonën e Lisbonës 2026 vetëm me 57 minuta e 20 sekonda, ai ndoshta nuk e kishte pritur që rekordi i tij botëror do të thyhej vetëm një muaj më vonë me rreth shtatë minuta më shpejt. Një robot humanoid me emrin “Vetëtima” e bëri këtë. “Vetëtima” i përshkoi 21 kilometrat në vetëm 50 minuta e 26 sekonda. Dy robotë të tjerë e përfunduan garën përkatësisht në 51 dhe 53 minuta. Në fakt robotit që e përfundoi garën i pari iu deshën vetëm pak më shumë se 48 minuta, por me ndihmën e telekomandës, duke humbur kështu pikë për mungesën e navigimit autonom. Të katër këta robotë janë prodhuar nga kompania kineze “Honor”.

Ekipi i “Honor”-it nuk ishte i vetmi që tregoi aftësi e talent. Këtë vit mbi njëqind ekipe morën pjesë në garë, me një rritje pesëfish nga viti 2025. Ekipet e ndryshme shfaqën ide të larmishme dizajni dhe konfigurime të pasura të harduerit, duke testuar teknologji të ndryshme të përparuara. Vetëm një vit më parë, roboti që fitoi garën shpenzoi 2 orë e 40 minuta e 42 sekonda, kurse sivjet shpejtësia e vrapimit të tre robotëve më të mirë në garë ishte secila tre herë më e madhe se kampioni i vitit 2025. Ky është një përparim revolucionar.

Në Galanë e Festës së Pranverës të CMG-së 2026, valltarë robotë kryen një sërë lëvizjesh dinamike akrobatike e vallëzimi, si kërcime, rrotullime etj. me ekuilibër, koordinim dhe saktësi të përsosur. Në krahasim me galanë e vitit 2025, kur paraardhësit e këtyre robotëve vetëm vallëzuan duke rrotulluar erashka, kërcimi i robotëve në vitin 2026 është një përparim i madh. Megjithëse interpretimi i tyre në Galanë e vitit 2026 e mahniti botën, gjysmëmaratona e robotëve humanoidë e Pekinit ka krijuar një moment historik me rëndësi epokale në këtë fushë.

Mposhtja e njerëzve në gjysmëmaratonë shënoi një moment rritjeje për robotët. Rëndësia e kësaj ngjarjeje është e ngjashme me kompjuterin “Deep Blue” të IBM-së që mposhti mjeshtrin legjendar të shahut Garry Kasparov në vitin 1997. Kjo fitore shënoi tejkalimin e njerëzve nga kompjuterat në shah. Në vitin 2016, “AlphaGo” i “Google”-it mposhti lojtarin më të mirë të go-së Lee Sedol me epërsi të lartë. Për shkak që go është një më komplekse se shahu, fitorja e “AlphaGo” u konsiderua si një moment tjetër historik. Këtë herë, fitorja e robotit humanoid “Vetëtima” në gjysmëmaratonë pa dyshim ka ndikim më të thellë.

Suksesi i gjysmëmaratonës së robotëve humanoidë të Pekinit ka përshkuar mbarë spektrin e industrisë së robotikës në Kinë, duke hyrë në jetën e përditshme të njerëzve. Në qendrat tregtare mund të gjeni makina robotike të shitjes së akulloreve ose grupe roku robotëve. Në hotel do të hasni robotë për dërgimin e pakove. Rastësisht mund të shihni një ndeshje futbolli të robotëve.