Gjykimi për teatrin e Tetovës: Ministria nuk konstaton dëm financiar, gjykata urdhëron superekspertizë

TË FUNDIT

Seanca e fundit gjyqësore për rastin e ndërtimit të objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës ka prodhuar dëshmi që sfidojnë pretendimet e deritanishme të Prokurorisë, përcjell TV21.

Përderisa procesi zhvillohet për një keqpërdorim të pretenduar prej rreth 13 milionë eurosh, dëshmitarët dhe ekspertët e thirrur kanë mohuar ekzistencën e dëmit financiar dhe shkeljeve ligjore gjatë punimeve. Dëshmitari nga Ministria e Kulturës, Vlladimir Poposki, ka deklaruar në sallën e gjyqit se institucioni që ai përfaqëson nuk ka konstatuar humbje monetare nga realizimi i këtij projekti kapital.

Në anën tjetër, tre ekspertë të fushës së ekonomisë dhe inxhinierisë ndërtimore  Biljana Gigovska, Liljana Kovaçevska dhe Anton Kajtazi, mbështetën rregullsinë e projektit. Përballë kontradiktave të forta mes aktakuzës dhe gjetjeve të ekspertëve të deritanishëm, trupi gjykues mori vendim për realizimin e një superekspertize të re e cila pritet të japë fjalën përfundimtare mbi anën financiare dhe teknike të projektit. Në këtë proces gjyqësor, katër persona akuzohen për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.