Gjykata e Hagës refuzoi kërkesën, Ratko Mlladiqi mbetet në burg të përjetshëm

TË FUNDIT

Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë në Hagë, sot e refuzoi kërkesën e mbrojtjes së Ratko Mlladiq, për anulimin e shqiptimit të aktgjykimit të caktuar për 8 qershor. Tribunali i Hagës Mlladiqin (78) e ka dënuar me burg të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet kundër njerëzimit në BeH në luftën 1992-95.

Gjykata e apelit, duke e refuzuar kërkesën e mbrojtjes si të pa bazë, vlerësoi se Mlladiqi dhe të paktën një nga mbrojtësit e tij mund të marrin pjesë në shqiptimin e aktgjykimit ose në sallën e gjykimit ose përmes video-lidhjes.

Mbrojtja paraprakisht kërkoi anulim, me arsye se Mlladiqi ka refuzuar ta ndjekë seancën përmes video-lidhjes dhe ka insistuar që ai dhe dy mbrojtësit e tij, Branko Lukiq dhe Dragan Ivetiq, të marrin pjesë në shqiptimin e aktgjykimit në sallën e gjykatës.

Sipas mbrojtjes, Ivetiqi nuk ka mundur të jetë i pranishëm për shkak të sëmundjes, ndërsa Lukiqi për shkak se i respekton udhëzimet e Mlladiqit.

Këshilli i apelit i hodhi poshtë argumentet e parashtruara të mbrojtjes, duke cekur se, sipas rregullave të gjykatës, e drejta e të akuzuarit që të merr pjesë në gjykim nuk duhet patjetër të jetë me prani fizike në sallën e gjykatës dhe nuk përjashtohet ndjekja e seancës gjyqësore përmes video-lidhjes.