Gjurovski: Nga NATO-ja kemi përfitime të mëdha! Non-paper-i është tentativë e Janshës që të faktorizohet para kryesisë me BE-në

TË FUNDIT

Në emisionin e mbrëmshëm të TV21 “Klik Plus” profesori i sigurisë, Marjan Gjurovski tha se pas një viti nga anëtarësimi në NATO, vendi ka përfitime të mëdha. Aleanca na ka ndihmuar në pjesën e kontrollimit të stafit profesional të Armatës dhe policisë. Falë anëtarësimit tonë në NATO, kemi marrë paralajmërim nga vendet-partnere dhe kemi arritur të pengojmë sulme terroriste në vendin tonë, shton Gjurovski.


“Fatmirësisht i kemi partnerët e Aleancës veri-atlantike me të cilët vendosëm një sistem të mirë për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara. Kemi shembuj, në dy raste na paralajmëruan vendet partnerë në pjesën e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit dhe u penguan incidente të tilla dhe sulme terroriste, në Shkup, përkatësisht në Maqedoni”, u shpreh Marjan Gjurovski.

Në lidhje me non-paperin për ndryshimin e kufijve, Gjurovski tha se nevojitet kundërshtim ndaj ideve të këtilla.


“Çfarëdolloj operimi me dokumentet në të cilat ka ndryshim të kufijve, dërgon mesazh të keq dhe janë të mira apelet e SHBA-ve kundër ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të popullsisë dhe territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Jansha u përpoq që të faktorizohet në rajon dhe në BE-në para kryesisë dhe para marrjes së tij të kryesisë me BE-në”, shtoi Gjurovski.

Gjurovski po ashtu tha se në një raport të Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim thuhet se Maqedonia është nën kërcënime hibride asimetrike dhe ndikime të qendrës ruse kundër zbulimit e cila gjendet në Sofje. Duhet ta vëzhgojmë me kujdes ndikimin rus, tha ai.