Katër ndërmarrjet publike në qytetin e Shkupit do të bëhen me drejtorë të rinj në detyrë. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski sonte i shpalli emrat e tyre.
Në ndërmarrjen publike “Rrugë dhe Rrugica” për drejtor do të emërohet Boris Nastov i cili e ka kryer këtë detyrë në fillimi të mandatit të ish kryetares së qytetit Danella Arsovska, ndërsa në “Ujësjellës dhe Kanalizim”, Ivan Mitrovski, nënkryetar i deritanishëm i komunës së Kisella Vodës.
Siç njoftoi Gjorgjievski, për drejtor në Ndërmarrjen Publike Transportuese do të emërohet një person i cili kohë të gjatë punon në këtë ndërmarrje, ndërsa në “Higjienën Komunale”, njeriu i cili kohë të gjatë ka punuar në sektorin komunal në Qytetin e Shkupit.
“Në “Higjienën Komunale”, do të emërohet një drejtor i cili është treguar jashtëzakonisht i mirë në periudhën e kaluar gjatë aksionit 72-orësh. Ai nuk është ushtruesi aktual i detyrës. Quhet Dragi, një njeri që ka punuar në sektorin komunal në Qytetin e Shkupit për shumë vite, nuk është ekspozuar as në parti dhe as në publik. Në NTP Shkup do të emërohet Sashe, i cili ka punuar në këtë ndërmarrje për shumë vite, ka përvojë dhe i kupton proceset”, njoftoi Gjorgjievski për emisionin “Vetëm një intervistë” në televizionin Kanal 5.
Gjorgjievski mohoi se kishte thënë ndonjëherë se do të privatizonte ndërmarrjet publike. Ai thotë se do të punojë për forcimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve publike dhe se do të punojë për t’i bërë ato të vetëmbajtura.
Faturat për qytetarët, siç tha ai, nuk do të shtrenjtohen. “Ashtu kam premtuar në fushatë”, tha Gjorgjievski.
