Gjorgjievski: Pas zgjedhjeve mbaron politika, është koha për punë! Shukova me mesazh përmbyllës: Po luftojmë për shtëpinë tonë

TË FUNDIT

Kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, tha se pas zgjedhjeve politika duhet të marrë fund dhe është koha për punë. Ai theksoi se dora e tij mbetet e shtrirë ndaj të gjithëve – qytetarëve, aktivistëve dhe kundërkandidatëve – me thirrjen për t’u bashkuar për Shkupin, sepse ky qytet është shtëpia jonë e vetme.

“Pas meje nuk qëndron vetëm partia ime politike, por një ekip profesorësh, arkitektësh, artistësh dhe njerëz të ndershëm që e jetojnë dhe e duan këtë qytet. Në ekipin tim ka maqedonas, shqiptarë, turq, romë, boshnjakë, serbë dhe të tjerë – njerëz me bindje të ndryshme politike e ideologjike, por me një dashuri të vetme: dashurinë për Shkupin“, theksoi Orce Gjorgjievski – Kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit.

Kandidatja e LSDM-së për kryetare të Qytetit të Shkupit, Kaja Shukova, dha deklaratën e saj përmbyllëse para votimeve të së dielës dhe u bëri thirrje qytetarëve të Shkupit të dalin më 19 tetor dhe të votojnë për numrin 5 – për vizion, dije dhe rezultate.

“Shkupi është shtëpia jonë dhe ka ardhur koha të luftojmë për të. Gjatë kësaj fushate folëm për zgjidhje që i rikthejnë jetën qytetit. Ne dimë si ta bëjmë Shkupin një qytet që përsëri merr frymë, lëviz dhe jeton më mirë”, tha Kaja Shukova – Kandidate për Kryetare të Shkupit – LSDM.