Kryetari i Bashkësisë së Njësive për Vetëqeverisje Lokale, njëherit dhe kryetar i Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, në një intervistë për Radio Europa e Lirë, thotë se duhet të shqyrtohen ndryshime në ligjin për vetqeverisje lokale, me çka edhe kryetarët e komunave do të mund të përgjigjeshin apo të shkarkoheshin nga detyra nëse nuk plotësojnë pritshmëritë e qytetarëve. Gjorgjievski ankohet se nuk kanë asnjë komunikim me Qytetin e Shkupit, jo vetëm Kisella Voda por asnjë komunë e Shkupit. Prandaj konsideron se pikërisht ky rast me kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska, duhet të jetë arsyeja dhe pikënisja pse duhet sjellë një ligj për përgjegjësi për kryetarët e komunave.
“Unë konsideroj se duhet të kufizohet fuqia. Atëherë edhe kryetari i komunës e di se mund të fillojë, por ndoshta nuk do t’i përfundojë mandati deri në fund. Është logjike se do të fillojë diçka të realizojë. Ne kemi kryetarë komunash nga e kaluara që 4 vjet mandatet i kaluan në letargji. Me gjuhë të popullit thënë, kanë fjetur katër vjet dhe nuk patën asnjë denim. Dënimi i vetëm janë zgjedhjet. Patjetër duhet të ketë mekanizëm me të cilin edhe më herët mund të vijë deri te përgjegjësia, nuk flas vetëm për përgjegjësi penale por edhe për përgjegjësi te kryetarët e komunave, në atë mënyrë të rregullohet puna apo mos puna e tij”, tha Orce Gjorgjievski.
Por ku mbeti çështja e marrjes së ingerencave të ndërmarjeve “Parqe dhe Gjelbërime” dhe “Higjiena Komunale”, dhe dorëzimi I tyre në komuna? Gjorgjievski thotë se nuk kanë hequr dorë por duhet shqyrtuar mundësitë ligjore.
“Sipas rregullores aktuale ligjore, nuk ka mundësi ligjore për të intervenuar në këtë pjesë. Fillimisht duhet të përmendim se ky nuk është qëndrim i një individi por ishte i të gjithë kryetarëve të komunave në Shkup, për çka biseduam edhe me kryeministrin. Ne nuk heqim dorë nga idea jonë dhe jemi në fazë ku po formojmë ekip të kryetarëve të komunave i cili do të punojë me shërbime të ekspertëve për intervenim në ligj”, deklaroi Gjorgjievski.
Gjorgjievski njoftoi edhe se me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe deputetët po diskutohet mundësia e vendosjes së policisë komunale, duke ndërhyrë gjithashtu në ligj. Kjo sipas tij, mund të ndodhë deri në fund të mandatit të tij si kryetar I BNJVL.