Nga sonte, para se të hidhni mbeturinat shikojeni orën! Kjo vlen për shkupjanët, ngaqë prej orës 22:00 e deri në 6:00 të mëngjesit e kanë të ndaluar të hedhin mbeturina në kontejnerë publik. Këshilli i Qytetit të Shkupit vendosi që të parandaloj në këtë mënyrë kaosin e plehrave në kryeqytet. Ky vendim nuk përfshinë ndalesën e hedhjes së mbeturinave në koshat privat të plehrave para shtëpive.
“Vendimi hyri në fuqi me firmosjen nga kryetari Gjeorgjievski, dhe përfshinë ndalesën e hedhjes së çfarëdolloj mbeturine nëpër kontejnerët apo rreth tyre që janë të vendosur nëpër hapësirat publike.
Qyteti i Shkupit ka 40 inspektorë, 11 inspektorë komunalë dhe 10 roje komunale. Shkeljet do të konstatohen në vendngjarje, ndërsa nëse hasen sasi më të mëdha mbeturinash të hedhura ose mbeturina të llojit tjetër nga ato të amvisërive, do të kryhen kontrolle edhe ndaj personave juridikë”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Inspektorët e qytetit, sipas paralajmërimeve të autoriteteve, do të patrullojnë në terren edhe pas mesnate për t’i kapur në vepër të gjithë ata që shkelin këtë ndalesë. Gjoba për qytetarët është 50 euro, ndërsa për personat juridikë varion nga 1.300 deri në 1.800 euro, varësisht nga lloji i mbeturinave.
Qytetarët thonë se ky është vendim i mirë, por që duhet vetëdije kolektive për ruajtjen e ambientit.
Nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” thonë se fillimisht nuk do të vendosen gjoba nga inspektorët e ambientit të qytetit, por vetëm me vërejtje nga njësitet e tyre të “EKO patrullave”. Kjo është sfida që në ditën e parë të punës si ushtruesi detyre të kësaj ndërmarrje publike, Dragi Mitkovski dhe vjen menjëherë pas aksionit 72-orësh të pastrimit të tërësishëm të kryeqytetit nga grumbujt e mbeturinave.
