Gjobat e “Safe City” zyrtarisht do të fillojnë më 1 shkurt! Ismaili: Ky sistem do të funksionojë edhe në Korridorin 8 dhe 10

TË FUNDIT

Regjistrimi i shkeljeve të trafikut përmes sistemit “Qytet i Sigurt” do të fillojë të funksionojë nga 1 shkurt, një muaj më vonë nga data e paralajmëruar më herët, 1 janari. Lajmin e konfirmoi për TV 21 ndihmës-zëvendësministër i MPB-së, Muhamet Ismaili, i cili bëri të ditur se përveç Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës, ky sistem në funksion do të jetë edhe në Korridorin 8 dhe 10.  Sipas njoftimeve të institucioneve kompetente, ky prolongim i afatit vjen për shkak të nevojës për kontrolle të tjera teknike dhe harmonizim të procedurave juridike.

“Nga 01.02.2026 do të vihet në funksion të plotë sistemi SafeCity në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe Korridori 10 dhe 8, ndërsa në qytetet e tjera është parashikuar të fillojë brenda vitit 2026”, tha Muhamet Ismaili.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme  njoftuan se po shqyrtohet mundësia e njëfarë tolerance në lidhje me shpejtësinë.

 “Pra, ne duhet t’i respektojmë shpejtësitë e lëvizjes, 50 km/h për zonat urbane  do të thotë  50 km/h për zonat urbane.  Sigurisht, edhe ne do të kemi kujdes po ashtu si të gjitha qytetet evropiane ku ata kanë shtuar parametrat e tyre të caktuar, që të ketë tolerancë, edhe te ne do të ndodhë kjo tolerancë”, deklaroi Sasho Topalovski.

Sistemi “Qytet i Sigurt” do të funksionojë me kamera fikse që do të regjistrojnë kundërvajtje në komunikacion, si tejkalimi i shpejtësisë, kalimi në semafor të kuq, automjetet e paregjistruara, dhe do të plotësohet me automjete të specializuara policore që do të detektojnë parkimin e parregullt dhe kundërvajtjet e tjera. Qëllimi i këtij sistemi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.