Gjoba më të rrepta për kompanitë, nuk i kanë paguar rrogat edhe pse i kanë marrë subvencionet nga shteti

TË FUNDIT

Përveç gjobave në të holla, të ketë edhe dënime me burg prej një viti për punëdhënësit të cilët nuk do t’i japin rrogat të punësuarve të tyre, edhe pse kanë marrë subvencione nga shteti, kërkon Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Prej atje porosisin se vetëm në këtë mënyrë do t’i jepet fund shkeljes së këtillë të të drejtave të punëtorëve, duke u bërë apel të punësuarve që të inkurajohen dhe t’i paraqesin të gjitha shkeljet e të drejtave të tyre.

“I inkurajoj punëtorët që përmes aplikacionit tonë e-sovetnik të denoncojnë në mënyrë anonime për veten edhe për ndonjë person tjetër, ta shfrytëzojnë këtë mundësi, kurse ne në emrin e LSM-së do të hapim procedurë gjyqësore. Para Gjykatës do t’i përfaqësojmë falas dhe do t’u japim ndihmë falas juridike”, deklaroi Darko Dimovski, kryetar i LSM-së.

Sipas ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, tani pasi DAP-i i ka publikuar të dhënat për kompanitë të cilat nuk i kanë paguar rrogat edhe pse kanë marrë subvencione, hapin e ardhshëm duhet ta ndërmarrin institucionet dhe ta sigurojnë drejtësinë.

“Tani radhën e kanë institucionet kompetente të cilat përmes masave dhe aktiviteteve të ndryshme duhet ta sigurojnë drejtësinë dhe të mundësojnë që të respektohet ajo për të cilën ne si Qeveri u angazhuam dhe e krijuam mbështetjen financiare për kompanitë. Shërbimet inspektuese janë duke punuar vazhdimisht në terren me vëllim të shtuar të punës së inspektorëve, kurse Inspektorati Shtetëror i Punës doli në terren me kontrolle të jashtëzakonshme gjithkund ku kishte shkelje të të drejtave të punëtorëve i orientonte dhe vepronte në pajtueshmëri me kompetencat që i ka”, tha Shahpaska.

Sot, DAP-i kumtoi se deri më 31 maj të këtij viti, rrogat e të punësuarve të tyre nuk i kanë paguar gjithsej 181 punëdhënës të cilët kanë marrë ndihmë financiare nga shteti për muajt shkurt dhe mars. Prej tyre, 157 nuk kanë paguar rrogë për një muaj, kurse 24 për dy muaj.

“Sipas rajoneve, më shumë punëdhënës të cilët nuk kanë paguar rrogë janë nga Shkupi edhe atë 71, pastaj nga Tetova-53 dhe 27 nga Manastiri”, njoftoi Sanja Llukarevska, drejtoreshë e DAP-it.

Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike thonë se kompanive u është dërguar vetëm vërejtje, kurse pastaj, siç shtojnë, në rast se punëtorët nuk i marrin rrogat, do të vijojë pagesë e detyrueshme