“Gjithnjë bllokon projektet strategjike”, LSDM dhe VMRO-DPMNE me akuza për ndërtimin e korridoreve

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE kritikon se edhe pas pothuajse 2 muajsh nga lidhja e Marrëveshjes dhe një muaj nga vendosja e gurthemelit në pikëpagesën mes Tetovës dhe Gostivarit, ndërtimi i Korridorit 8 ende nuk ka nisur.

Aktiviteti i vetëm në këtë vend është pagesa e 117 milionë eurove, pa punë në terren. Kjo shumë do të kalojë 300 milionë, për shkak të gjobave, sërish pa punë në teren. Një nga pikat që parashikon implikime financiare në vlerën 117 milionë euro i referohet një pjese të Marrëveshjes që quhet “contractor establishment payment”. Kjo është ajo pjesë e Marrëveshjes, faqja 119 e marrëveshjes, ose faqja e dytë e seksionit Schedule 1”, tha Naum Stoillkovski, zëdhënës VMRO-DPMNE.

Sipas Stoillkovskit, kjo është pjesë ekskluzive e Marrëveshjes që qeveria po e fsheh dhe një burim ia ka dorëzuar VMRO-DPMNE-së. U kundërpërgjigj zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska, duke thënë se VMRO-DPMNE dhe Levica gjithnjë u dalin kundër projekteve strategjike për shtetin, e tash edhe kundër kompanisë amerikane Bechtel.

“Edhe pse procedurat ligjore për realizimin e këtij projekti zgjasin tashmë 2 vjet, në fillim të realizimit VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski filluan hajkë kundër projektit strategjik. Në VMRO-DPMNE nuk ka asnjë ndryshim, është partia që gjithmonë bllokon dhe kundërshton çdo vendim të rëndësishëm strategjik të vendit. Me të pavërteta, gënjeshtra dhe shtrembërime faktesh, VMRO-DPMNE dhe Levica po bëjnë fushatë kundër ndërtimit të korridoreve dhe kundër kompanisë amerikane Bechtel”, tha Bodanka Kuzeska, LSDM.

Kuzevska u shpreh po ashtu se ndërtimi i Korridoreve 8 dhe 10d është projekt strategjik me interes kombëtar, përmes të cilave shteti do të lidhet edhe me Lindjen dhe Perëndimin. Me këto korridore shteti do të bëhet udhëkryq i Ballkanit dhe do të zhvillohet ekonomia dhe tregtia, u shpreh ajo.  Ndërkaq Stoillkovski thotë se duhet të ketë përgjegjësi për marrëveshjet sepse po paguhen nga xhepi i qytetarëve.