Dje është varrosur Liridona Murseli-Ademaj, e cila ishte vrarë tri ditë më parë në Prishtinë dhe vetëm pas pak orësh Policia e Kosovës ka arrestuar bashkëshortin e saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se e ka organizuar vrasjen e të ndjerës, personin me inicialet G.P., që sipas prokurorisë është dorasi, si dhe të dyshuarin tjetër me iniciale K.K., i cili është pjesëtar i FSK-së.
Sipas Policisë, më datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, kanë pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
“Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit. Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, thuhet në njoftim.
Kurse, Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.
“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast. Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore. Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet në komunikatë.
Më pas është arrestuar edhe i dyshuari i tretë, i cili është edhe pjesëtarë i FSK-së. Bëhet fjalë për Kushtrim Kokallën.
Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet një komunikate ka theksuar se organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim”, thuhet në komunikatë.
Pas arrestimit të Naim Murselit, bashkëshortit të Liridonës, babai i tij ka bërë të ditur se e pamja është anuluar.
“Shokë dhe miq për shkaqe familjare me keqardhje e bëjmë anulimin e të pamës. Falënderojmë gjithë për pjesëmarrje në varrim”, shkroi Shaban Murseli në llogarinë e tij në Facebook.
E derisa është raportuar se Naim Murseli, përpara hetuesve e ka pranuar se e ka porositur vrasjen e gruas së tij te i dyshuari G.P., të cilit ia kishte dhënë 15 mijë euro para vrasjes dhe 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës. I dyshuari G.P., para prokurores e ka pranuar se është Murseli ai që e ka paguar ta kryejë vrasjen, familjarët e viktimës u raportua se kanë kërkuar zhvarrosjen e Liridona Murselit nga fshati i Naim Murselit dhe varrosjen në fshatin e lindjes.
E pas kësaj ngjarje të rënë kanë reaguar përfaqësues të ndryshëm të institucioneve, politikanë, shoqëria civile e qytetarë.
Përndryshe, sipas procedurave të dyshuarit sot ose nesër pritet të dalin para Gjykatës.