Zyra për Integrime Evropiane e komunës së Gjilanit në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Diplomaci sot ka organizuar një trajnim për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët me qëllim që të pajisen me më shumë njohuri rreth migrimit ilegal dhe liberalizimit të vizave, me anë të këtyre aktiviteteve Gjilani shënonë fillimin e “Javës së Europës”.
Burim Elezi, Zyrtar për Integrime Evropiane të Komunës së Gjilanit, i cili e ka hapur zyrtarisht “Javën e Europës” ka thënë se “Lutfi Haziri i ka vënë në prioritet proceset integruese. Ky trajnim, ka për qëllim që ju të pajiseni me më shumë njohuri rreth migrimit ilegal dhe liberalizimit që është ëndërr e kosovarëve, hapë sot “Javën e Evropës” në Gjilan”, ka thënë Elezi përmes një njoftimi për media.
Më tej në këtë komunikatë thuhet se është një ditë e veçantë për Kosovën sepse pikërisht sot Kosova nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE, duke shtuar se ky është hapi më i rëndësishëm për një vend që aspiron familjen evropiane.
Në këtë ngjarje ka folur edhe Selim Daku nga Qendra Kosovare për Diplomaci, sikurse edhe Valdrin Halimi, kryetar i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal.
Në kuadër të “Javës së Europës” më 4 maj do të mbahet ligjëratë me nxënësit e shkollave të mesme nga Asociacioni Kosova Ansambël nga Franca me ligjërues Ilir Mustafën, gjithashtu, më 5 maj do të mbahet një ligjëratë e njëjtë me shërbyesit civil të Komunës së Gjilanit, ndërsa më 8 maj “Java e Europës” përmbyllet me konferencën “Migrimi Ilegal, Liberalizimi”, e cila mbahet në Universitetin “Kadri Zeka”, thuhet ndër të tjera në këtë kumtesë
