Gjermania shtetësi pas pesë vjetësh, planifikon të lejojë shtetësinë e dyfishtë

TË FUNDIT

Gjermania është duke modernizuar ligjin e shtetësisë. Zëdhënësi i ministrisë së brendshme, Maximillian Kall, tha të premten në Berlin, në konferencën e rregullt të shtypit të qeverisë gjermane, se “projektligji është pothuajse gati”. DW tregon se cilat janë ndryshimet e parashikuara? 

Shtetësi pas pesë vjetësh

Ndërsa deri tani, për të marrë pasaportën gjermane duhet të kesh jetuar së paku 8 vjet në Gjermani me dokumente të rregullta, me projektligjin e ri mund ta marrësh shtetësinë pas pesë vjetësh. Në disa raste të veçanta, të integrimit të mirë në shoqëri e punë, madje edhe pas tri vjetësh. Angazhimi vullnetar shpërblehet gjithashtu.   

Shtetësi pa provim për më të moshuarit

Edhe për imigrantët e brezit të parë, mbi 67-vjeçarë, që jetojnë prej dekadash në Gjermani, por nuk e kalojnë lehtë testin e gjuhës, do të ketë lëshime. Për ta do të mjaftojë që “të jenë të aftë të kuptohen në gjermanisht”. 

Poashtu edhe fëmijët e lindur në Gjermani mund të marrin automatikisht shtetësinë gjermane, nëse njëri prej prindërve jeton në mënyrë të rregullt prej pesë vitesh në Gjermani.  

Përjashtimet nga shtetësia mbeten të njëjta

Shumë rregulla kanë mbetur të njëjta në projektligj: Nga natyralizimi do të përjashtohen persona që kanë kryer vepra penale, qoftë në Gjermani, qoftë në vendin e tyre, ose që kanë shfaqur në të kaluarën qëndrime antikushtetuese.

Gjithashtu do të jetë e vështirë për personat që nuk mund të provojnë identitetin e tyre, që kanë një leje qëndrimi të përkohshme ose që janë me Duldung.

Pak shanse kanë edhe ata që marrin përfitime sociale nga shteti. Përjashtime për këta ka vetëm në raste të jashtëzakonshme.