Gjermania i ofron Ukrainës helmeta

TË FUNDIT

Gjermania do të furnizojë Ukrainën me 5.000 helmeta ushtarake për të ndihmuar në mbrojtjen kundër një pushtimi të mundshëm rus, një ofertë të cilën sot kryetari i bashkisë së Kievit dhe ish-kampioni i botës, Vitali Klitschko e quajti “një shaka”, e cila e la atë “pa fjalë”.

Ministrja e Mbrojtjes gjermane Christine Lambrecht tha se Berlini, i cili është përballur me kritika në rritje për refuzimin e tij për të furnizuar me armë Ukrainës siç kanë bërë vendet e tjera perëndimore, po i përgjigjej një kërkese për pajisje ushtarake, veçanërisht helmeta.

Ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace tha se ai nuk po gjykonte vendimet e të tjerëve.

“Natyrisht, Britania e Madhe ka marrë një pikëpamje se ndihma vdekjeprurëse e një natyre mbrojtëse taktike është diçka për të cilën ukrainasit kanë nevojë. Por ne nuk jemi duke gjykuar mbi vendet e tjera,” tha ai gjatë një vizite në Berlin.

Rusia ka grumbulluar dhjetëra-mijëra trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën, por mohon të planifikojë të sulmojë fqinjin e saj. Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë nisur të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë.

“Qeveria gjermane është dakord që ne të mos dërgojmë armë vdekjeprurëse në zonat e krizës pasi nuk duam të nxisim situatën, duam të kontribuojmë në mënyra të tjera”, tha Lambrecht në një konferencë të përbashkët shtypi me Wallace.

Ajo shtoi se Gjermania po furnizonte gjithashtu një spital fushor në Ukrainë dhe se ende po synonte një zgjidhje paqësore.

Klitschko, një ish-kampion bote në peshat e rënda, i cili jetoi për vite në Gjermani dhe tani është kryebashkiak i kryeqytetit ukrainas, nuk ishte i impresionuar me ofertën e helmetave.

“Sjellja e qeverisë gjermane më lë pa fjalë. Ministria e Mbrojtjes me sa duket nuk e ka kuptuar se ne jemi përballur me forca ruse të pajisura në mënyrë perfekte që mund të fillojnë një pushtim tjetër të Ukrainës në çdo kohë,” tha ai për Bild.

Ambasadori i Ukrainës në Berlin, Andriy Melnyk, tha se “gjesti simbolik” ishte i mirëpritur, por i pamjaftueshëm pasi vendi i tij kishte nevojë për pajisje për qindra mijëra ushtarë, nga të cilët helmetat nuk ishin pjesa më e nevojshme urgjente.

“Ne jemi të kënaqur që mund të shohim të paktën fillimin e një ndryshimi në të menduar,” tha ai për Reuters. “Megjithatë, ajo që na nevojitet më shumë janë armët mbrojtëse”.

Wallace e bëri të qartë se gazsjellësi Nord Stream 2 mund të jetë një mjet i rëndësishëm për t’u përdorur kundër Rusisë. Gjermania nuk ka thënë në mënyrë eksplicite se do ta heqë tubacionin, për shkak të transportit të gazit rus në Evropë, në rast të një pushtimi.

“Nëse (presidenti rus Vladimir) Putin zgjedh të pushtojë Ukrainën… ai nuk duhet të shpërblehet nga Evropa që e financon më tej. Dhe ajo që ai bën me të ardhurat e gazit është që financon ushtrinë e tij,” tha Wallace.

MARKETING I PAGUAR POLITIK