Në momentin kur shumë shtete të Evropës po ngurrojnë apo po refuzojnë të pranojnë refugjatë në territoret e tyre, Austria dhe Gjermania kanë hapur kufijtë e tyre dhe që nga mesnata në territoret e këtyre dy shteteve nga Hungaria kanë hyrë mbi 11 mijë refugjatë.
Që nga mesnata, mbi 11 mijë refugjatë hynë në Austri dhe Gjermani
Duke filluar që nga orët e mesnatës mes të shtunës dhe të dielës, me mijëra refugjatë nga Hungaria kanë hyrë me trena dhe autobusë në Austri dhe Gjermani, ndërsa vetëm në qytetin e Munihut kanë zbarkuar mbi 8 mijë refugjatë.
Refugjatët, pjesa më e madhe prej tyre nga Siria, me trena dhe autobusë nga Hungaria udhëtuan për në Vjenë, e më pas me trena kanë vazhduar rrugëtimin drejtë Munihut dhe qyteteve tjera gjermane.
Pas ditëve të tëra të konfrontimeve dhe kaosit në stacionin e trenave Keleti në Budapest, Hungaria më në fund hapi kufijtë e vet me Austrinë, duke lejuar kalimin e refugjatëve.
Përkundër solidaritetit që po shfaqin Austria dhe Gjermania, ka shumë pak shenja për një veprim të koordinuar të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e kësaj krize.
“Arritja në tokën e premtuar”, “Danke Dojçlland” dhe “Respekt” ishin fjalët e refugjatëve, pas zbarkimit të tyre në Gjermani.
Shefi i dipomacisë gjermane, Frank Valter Shtajnmajer, deklaroi se hyrja e një numri kaq të madh të refugjatëve nga Hungaria, nëpërmjet të Austrisë në Gjermani është një përjashtim dhe se ky transfero i tyre është bërë i mundshëm më marrëveshjen e arritur mes Austrisë, Hungarisë dhe Gjermanisë.
Megjithatë, nuk janë të gjithë gjermanët të lumtur me këtë valë të refugjatëve, që kanë vërshuar vendin e tyre.
Neo-nazistët dhe anti-nazistët u përleshën në stacionin e trenit në qytetin e Dortmundit, ndërsa pamje krejt tjera mbretëruan në Munih, ku refugjatët u pritën me këngë dhe lule.
Nen-nazistët dhe anti-nazistët u përleshën sot në mëngjes, në momentin kur në stacion pritej të arrinte një tren me refugjatë nga austria. Policia arriti të ndajë dy palët dhe situata mbeti e tendosur deri në momentin e largimit të neo-nazistëve nga stacioni.
Siç theksuan sot mediet gjermane, shpenzimet e Gjermanisë, për shkak të valës rekorde të refugjatëve, mund të arrijnë deri në 10 miliardë euro, një shumë kjo për katër herë më e lartë, për dallim nga shuma që shpenzoi Berlini vitin e kaluar për strehimin e refugjatëve.
Ndërkohë duket se edhe Britania ka vendosur të lëshojë pe dhe ka paralajmëruar mundësinë që vendi të pranojë 15 mijë refugjatë, kryesisht nga Siria.
Kryeministri i Britanisë, Dejvid Kameron, po përballet me trysni të brendshme dhe ndërkombëtare që të reagojë ndaj krizës së refugjatëve.
Kameron tani synon të zgjerojë programin për strehim dhe të pranojë mbi 15 mijë refugjatë, si dhe të fillojë një operacion ushtarak kundër trafikuesve me qenie njerëzore.
Për krizën e refugjatëve sot u shpreh edhe Papa Françesku, i cili në meshën tradicionale të së dielës në Sheshin e Shën Petrit ju bëri thirrje besimtarëve të krishterë që të hapin dyert për refugjatët dhe të pranojnë nga një familje./ 21 Media
