Maqedonia ka deklaruar gjendje alarmante në kufijtë jugor dhe verior me Greqinë, pasi mijëra refugjatë sirianë kanë tentuar të hyjnë në territorin maqedonas.
Ivo Kotevski, zëdhënës i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ka thënë se është dashur ndërhyrja e ushtrisë për t’u konfrontuar me refugjatët në kufijtë me Greqinë.
“Qeveria maqedonase ka vendosur që të shpallë gjendje alarmante në regjionet jugore dhe veriore. Prandaj, sipas ligjeve, ushtria mund të intervenojë në territorin e Republikës së Maqedonisë, ka thënë Kotevski.
Më shumë se 1 mijë refugjatë, shumica nga Siria, janë duke u mbajtur në zonën neutrale mes Maqedonisë dhe Greqisë, derisa policia nuk po mund të përballojë fluksin e madh të njerëzve gjatë ditëve të fundit.
“Ne presim që me përfshirjen e ushtrisë të arrijmë dy synimet tona: Të shtojmë sigurinë në mesin e qytetarëve tanë në këto dy regjione dhe të mundësojmë qasje më të mirë për njerëzit që aplikojnë për azil në Maqedoni”, ka thënë zëdhënësi i MPB-së së Maqedonisë.
