Gjendja e sigurisë në vend është stabile, jemi të gatshëm për të gjithë skenarët me Ukrainën, thotë Pendarovski

TË FUNDIT

Gjendja e sigurisë në vend është stabile dhe nuk ka indikacione që tregojnë se është e cenuar – deklaroi Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, pas takimit të Këshillit për siguri ku tema kryesore ishte gjendja me Rusinë dhe Ukrainën, por edhe siguria në rajon. Ai theksoi se si anëtare e NATO-së vendi i ka bërë të gjithë përgatitjet e nevojshme për skenarët e mundshëm varësisht prej asaj se si do të zhvillohen ngjarjet atje. Megjithatë theksoi se nuk do të dërgohen ushtarë tanë në përmbajtjen e NATO-së për ndihmë në Ukrainë, për shkak se Ukraina nuk është vend anëtarë i Aleancës.

“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për dy shtete që kufizohen me të ashtuquajturën zonë euro atlantike të përgjegjësisë, RMV si anëtare e NATO-së ishte e obliguar që të bëjë dhe i ka bërë të gjithë përgatitjet e nevojshme, po përsëris përgatitjet për skenarët e mundshme varësisht asaj se si do të zhvillohen ngjarjet në periudhën e ardhshme në atë pjesë të botës. NATO si Aleancë deri më tani nuk ka sjellë vendim për pjesëmarrje ushtarake në Ukrainë. NATO nuk ka sjellë vendim për pjesëmarrje ushtarake të Aleancës në Ukrainë. Pse? Për shkak se sipas Marrëveshjes së Uashingtonit dhe nenit 5, vetëm sulmi ndaj një vendi anëtarë vlerësohet si sulm ndaj të gjithëve dhe vetëm në atë rast të gjithë janë të obliguar për të ndihmuar edhe me trupa luftarak. Ukraina ka raport partneri me NATO por nuk është anëtare e NATO-së”, tha Pendarovski./TV21