Gjenden 44 kufoma, nuk dihet ku është edhe një pasagjer! Prokurorët pohojnë se në autobus nuk ka pasur fuçi me derivate

TË FUNDIT

Prokuroria bullgare pohon se në mbetjet e autobusit janë gjetur 44 kufoma, ndërsa sipas listës së pasagjerëve, në autobus kanë udhëtuar 52 persona, në spital ka 7 persona. Pyetja është se ku ndodhet i mbijetuari i tetë!? Zëdhënësja e kryeprokurorit, Sijka Milleva, tha se i ka vizituar të lënduarit në spital, ndërsa ka biseduar me djalin i cili ka arritur të thyejë dritaren dhe në atë mënyrë janë shpëtuar një pjesë e pasagjerëve.

“Filloi të më tregojë për incidentin, si e ka marrë çekanin dhe e ka thyer dritaren e pasme të autobusit dhe si nga aty kanë shpëtuar 8 persona. Unë i thashë që ata janë 7. Në spital janë të vendosur shtatë persona dhe ai më tha jo, kemi shpëtuar 8 persona. Gjetëm 44 kufoma, në spital janë 7 persona, 4 meshkuj dhe 3 femra. Mbetet mister i madh se ku është personi i tetë”, tha Sijka Milleva, zëdhënëse e Prokurorisë.

Zëvendës kryeprokurori, Borisllav Sarafov, i cili e udhëheq hetimin, shtoi se në pikën kufitare është konstatuar se në autobus ka pasur 52 persona, duke përfshirë edhe shoferët. Ai tha se arsyeja për aksidentin është gabim njerëzor, ndërsa sipas rezultateve të para të hetimit deri te zjarri ka ardhur pas përplasjes në bankinën e djathtë të autostradës, e më pas në anën e majtë dhe se autobusi ka marrë flakë nga shkëndijat që janë shkaktuar nga përplasja me bankinën. Obduksioni i trupave ka treguar se të gjithë viktimat kanë ndërruar jetë nga ngufatja, e jo nga përplasja. Ai i hodhi poshtë informacionet që qarkullonin në opinion se në autobus ka pasur fuçi me derivate.

 “Qarkullojnë versione se kanë bartur fuçi me benzinë dhe dizel dhe se ato janë arsyet për zjarrin. Ai version është hetuar dhe në mënyrë kategorike hidhet poshtë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur tre fuçi, në to ka vetëm mbetje të naftës, nga derivati që ka përdorur autobusi. Nuk kanë qenë të mbushura, nuk janë djegur. Sipas kësaj, zjarri nuk është shkaktuar nga ato”, theksoi Borisllav Sarafov, zv/kryeprokuror.

Gjatë këtyre ditëve po mblidhen strisho nga të afërmit e viktimave dhe po bëhen analiza DNK që të kryhet identifikimi i tyre. Prokurori publik, Lubomir Joveski,  pyetjes – A do të fillojnë hetim për kompaninë Besa Trans, autobusët e të cilës kryejnë transportin e pasagjerëve, ai iu përgjigj:

 “Nuk do të udhëheqim hetim paralel, tani lënda është në kompetenca të prokurorëve publik në Republikën e Bullgarisë, do të presim që të përfundojë pjesa e hetimit që e udhëheqin prokurorët dhe rezultatet deri te të cilat do të vijnë, e më pas Prokuroria publike e Maqedonisë do të veprojë në mënyrë adekuate”, tha Lubomir Joveski, prokuror Publik.

Prokurorët bullgar paralajmëruan se do të kryen ekspertizë edhe të autostradës ku ndodhi aksidenti i kobshëm. Do të kontrollohet sinjalizimi rrugor si dhe vendosja e shenjave të trafikut. Kjo pjesë e autostradës ende është e mbyllur për trafik. Prokuroria bullgare do të kërkojë përgjegjësi edhe nga policët dhe nëpunësit doganor të cilët e kanë lëshuar autobusin pa licencë ndërkombëtare dhe pa evidencë në sistemin e shërbimit kufitar të Maqedonisë.

MARKETING I PAGUAR POLITIK