Gjatë operacionit policor u arrestuan policë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë

TË FUNDIT

Operacioni policor ende po vazhdon

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se operacioni policor i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.

Gjatë këtij aksioni, përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, Policia ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor.

“Si pasojë e pengesave të krijuara dhe pengimit të veprimeve policore në terren nga ana e disa qytetarëve në Veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor edhe disa qytetarë të involvuar në këto raste.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Po ashtu, institucionet relevante iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme, pasi ky operacion policor ka për qëllim luftën kundër krimit dhe është në interes të të gjithë qytetarëve dhe vendit. Operacioni policor është ende në vazhdim e sipër.

Ky operacion ka nisur që nga orët e para të mëngjesit./21Media