Në zjarret e pyjeve në javët e fundit, tashmë është shkatërruar një sipërfaqe më e madhe sesa në zjarret në të gjithë vitin 2021, njoftoi Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje.
Në të gjithë Bashkimin Evropian, zjarret kanë djegur 517,881 hektarë këtë vit që nga 16 korriku, që është pak më shumë se 5,000 kilometra katrorë, e barabartë me sipërfaqen e Trinidadit dhe Tobagos, tha shërbimi i monitorimit satelitor të BE-së.
Në vitin 2021, zjarret shkatërruan 470,359 hektarë pyje, kryesisht në Itali dhe Greqi.
Zjarret këtë vit po shpërthejnë në Francë, Spanjë, Portugali dhe Greqi gjatë valës rekord të të nxehtit, po ashtu edhe Britania e Madhe po lufton zjarret, ku temperaturat kanë kaluar për herë të parë në histori 40 gradë Celsius.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, Evropa mund ta mbyllë vitin 2022 me më shumë toka të djegura sesa në 2017, viti më i keq në histori, kur gati një milion hektarë u shkatërruan nga zjarret.
“Situata është shumë më e keqe se sa pritej, megjithëse ne prisnim anomali të temperaturës në parashikimet tona afatgjate. Ne presim që të jetë edhe më keq, nuk jemi as në gjysmë të rrugës së sezonit të zjarreve”, thotë Hesus San Migel, koordinator në Sistemin Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje.
Gati 40,000 hektarë pyje janë shkatërruar nga zjarret këtë vit në Francë, më shumë se 30,000 sa u dogjën vitin e kaluar.
Në Spanjë, ku më shumë se 500 persona humbën jetën gjatë një vale dhjetëditore të të nxehtit këtë muaj, 190 mijë hektarë janë djegur këtë vit, krahasuar me 85 mijë që ishte vitin e kaluar.
Pak më shumë se 20,000 hektarë u dogjën në vitin 2022, krahasuar me vetëm 6,000 për të gjithë vitin 2021.
