I është dhënë lamtumira e fundit akademikut Esat Stavileci. U çmua lartë kontributi i tij dhënë shkencave juridike, arsimit dhe fushave tjera, veçanërisht në sferën e administratës publike.
Me homazhe për të nderuar akademikun Esat Stavileci i cili para dy ditësh ndërroi jetë u mbajt ceremonia e përuljes para trupit të pajetë të tij.
Qindra qytetarë të Gjakovës vend në të cilin u lind dhe filloi hapat e parë të dijes nderuan me nga një min heshtje para arkivolit që qëndroi në hollin e pallatit të kulturës.
Zyrtarë të lartë nga mbarë vendi morën pjesë në këtë ceremoni ndarje me akademikun Esat Stavileci qytetar nderi i Gjakovës dhe Intelektual shqiptar i vitit 2009. Kurora me lule vendosën disa delegacione zyrtare.
Humbja e tij si për familjen ashtu edhe për Akademinë dhe studentët është cilësuar si humbje e pakompensueshme.
Vajza e tij Miranda Stavileci nuk mundi të thoshte edhe shumë fjalë. Ajo falënderoi të pranishmit, ata që organizuan këtë ceremoni dhe kërkoi që babai i saj të kujtohet përherë.
E para e qytetit të Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, nën patronatin e të cilës u organizua edhe ceremonia lamtumirës, foli për virtytet e profesorit Stavileci.
Fjalë të mira dhe kujtime për kolegun pati edhe Minir Dushi. Ai në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve foli për angazhimet e profesorit tashmë të ndjerë Esat Stavilecit.
Ndarja nga jeta e profesorit Stavileci për Dushin ishte mjaftë e vështirë.
Në këtë akademi foli edhe Ushtrues Detyre i Universitetit të Gjakovës, Hasan Mujaj. Ai foli për virtytet e profesorit të ndjerë, modestinë dhe komunikimin pragmatik dhe interkulturor. Foli po ashtu edhe për sintagmat dhe aforizmat e vlerave të larta edukative që kishte profesor Stavileci dhe nuk harroi të përmend edhe ato që ka lënë pas profesori i ndjerë.
Esat stavileci u lind më 11 korrik 1942, në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit.
Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Prej vitit 1965 deri në pensionim punoi profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoraturës. Ai u varros sot në Gjakovë.
