Ghalibaf: Irani është i gatshëm për të gjitha opsionet

TË FUNDIT

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi mbrëmë se forcat e armatosura të Iranit janë të gatshme të japin përgjigje shkatërruese dhe të merituar ndaj çdo agresioni, duke paralajmëruar se strategjitë e gabuara do të sjellin vetëm pasoja katastrofike.

“Forcat tona të armatosura janë të gatshme të japin përgjigjen e merituar ndaj çdo agresioni. Strategjia dhe vendimet e gabuara gjithmonë do të çojnë në rezultate katastrofike. E gjithë bota tashmë e ka kuptuar këtë. Ne jemi të gatshëm për të gjitha opsionet, ata do të befasohen”, shkroi ai në platformën X.

Ghalibaf tha se forcat iraniane janë “plotësisht të gatshme për luftë” dhe se vendimet e gabuara strategjike të kundërshtarëve nuk do të sjellin sukses, por pasoja serioze.

Sipas tij, Irani mbetet i përkushtuar ndaj politikës së durimit strategjik, por njëkohësisht ruan një nivel të lartë gatishmërie ushtarake, në kushtet e tensioneve të shtuara me SHBA dhe Izraelin.

Irani po ashtu ka forcuar kontrollin në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës, gjë që tashmë ka ndikuar në tregun global të energjisë.

Autoritetet iraniane theksojnë se Tehran nuk kërkon konflikt, por do ta mbrojë me vendosmëri sovranitetin e vendit nëse, siç thonë ata, tejkalohen “vijat e kuqe”.