Në lidhje me kritikat për fjalimin e saj në Dubrovnik, ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Thotë se mediat kanë keqinterpretuar fjalimin e saj dhe të njëjtat i ka vlerësuar si lajme të rreme.
Të gabuara i quan reagimet që bazohen në këta artikuj gazetaresk dhe ka këshilluar që të reagohet atëherë kur lexohet deklarata e plotë dhe kur dihet burimi i informacionit.
Më poshtë reagimi i plotë i Gërvallës:
“Të nderuar miq,
që nga marrja e detyrës si Ministre e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, portale të caktuara mediale fjalët e mia jo rrallë i kanë paraqitur në formë aq të tjetërsuar, sa krijohet përshtypja të jetë thënë pikërisht e kundërta e asaj që është thënë në të vërtetë.
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe sot dhe një qasje e tillë është për keqardhje.
Kritika është e mirëseardhur dhe e domosdoshme. Fabrikimi i lajmeve të rreme dhe mashtrimi i opinionit nuk është në rregull dhe nuk i bën nder as atyre që i publikojnë, dhe as atyre që më pas mezi presin t’i komentojnë mashtrimet e tilla.
Gabime të tilla mund të evitohen shumë lehtë duke komentuar vetëm atëherë, kur dihet burimi dhe përmbajtja e tekstit të plotë”./TV21
