Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska të pyetur nga TV21 kanë folur për shkollën në Idrizovë.
Georgievski njoftoi se nxënësit deri në klasën e 3, që e ndjekim mësimin në Njegosh do të shkojnë me prani fizike, ndërkaq për ndërtimin objektit për nxënësit shqiptarë, ka njoftuar se dokumentacioni nga projekti është ridërguar në Ministri të Arsimit dhe Shkencës dhe nga atje pret përgjigje.
“Procedura ende gjendet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, të ridërguara nga Komuna e Gazi Babës për objekt të ri shkollor. Edhe ju si televizion e dini se situata ishte komplekse dhe para një viti ajo ishte krejt ndryshe nga çka është sot. Fëmijët që ndjekim mësim në shqip në Njegosh edhe më tej do të shkojnë në shkollë. Deri në klasën e tretë do të ndjekim mësim me prani fizike, kurse klasat e larta do të shkojnë me mësim online. Por procedura për ndërtimin, është në Ministri dhe ngadalë – ngadalë do t’i zgjidhim problemet për shkollën e re që duhet të jetë në Idrizovë për 100 fëmijë”, tha Georgievski.
Ai sqaroj se këtë dokumentacion e ka dorëzur gjatë muajit maj, ndërkaq tha se nuk ka informacion se nëse ministrja e re do ta shqyrtojë.
Carovska ka deklaruar se kanë folur me kryetarin dhe ish ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi për këtë çështje. Tha se ka disa çështje që duhet të precizohen dhe të ndahen mjetet.
