Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve në Kosovë, Genc Prelvukaj ka reaguar publikisht përmes një postimi, duke sqaruar pozicionin e tij politik dhe rezultatin zgjedhor.
Prelvukaj bën të ditur se, ndonëse ka arritur të rrisë numrin e votave duke marrë rreth 16 mijë vota, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të siguruar ulëse në Kuvend si deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Në procesin elektoral të dhjetorit, ndonëse kam arritur të shtoj numrin e votave (16 000) sërish duket se nuk kam arritur të rreshtohem në ekipin fitues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të zë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Meqenëse elektorati i PDK-së ka vendosur dhe ka qenë i bindur se opozitën mund ta bëjë dhe mund të rrisë partinë, përmes deputetëve që tanimë e kanë fituar mandatin,ne të tjerët duket ta lexojmë këtë zhvillim racionalisht dhe të presim. Ndërkohë unë vazhdoj të jem pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, siç kam qenë përmbi dy decenie, duke provuar ti jap çdo gjë që, pa kërkuar asgjë në këmbim”, ka shkruar mes tjerash.
