Gecaj: Ujmani është i Kosovës dhe do të menaxhohet nga institucionet tona

TË FUNDIT

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, ka hedhur poshtë çdo mundësi që sipas marrëveshjes për asociacionin e komunave, Liqeni i Ujmanit do të mbetet nën menaxhimin e asociacionit.
Në një shkrim të plasuar në rrjetin social Facebook, Gecaj ka thënë se Liqeni i Ujmanit është pronë e Republikës së Kosovës dhe si i tillë do të mbetet nën menaxhimin e institucioneve të Kosovës.

“Spekulimet mediatike nuk kanë të ndalur mbi arritjet apo mosarritjet në bisedimet e fundit në Bruksel. Në portalet tona sot raportohet plotësisht gabimisht se asociacioni do të menaxhojë me ‘Ujmanin’. Madje thuhet edhe se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk saktëson se si është marrë vesh në Bruksel në lidhje me atë se kush do të menaxhoi me asetet e ‘Ujmanit”, ka shkruar Gecaj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka çfarë të saktësojë këtu, pasi që ‘Ujmani’ nuk ka qenë fare temë e bisedimeve, aq sa ka mund të jetë liqeni i Batllavës apo edhe ai i Radoniqit. Liqeni i ‘Ujmanit’ është pronë e Republikës së Kosovës dhe si i tillë do të mbetet nën menaxhimin e institucioneve tona”, ka shkruar Gecaj.