Gazi Baba me rrugë të shkatërruara

TË FUNDIT

Me muaj të tërë, rruga “Mendeleva”, në lagjen e Gazi Babës është e shkatërruar dhe me gropa. E kjo për arsye se në këtë rrugë disa muaj më herët janë ndërruar gypat e ujësjellësit. Banorët thonë se nga momenti kur janë kryer punimet për ndryshimin e gypave, askush nuk i ka vizituar ata e as nuk i ka informuar se çka më tutje.

“Që interesohet dikush nuk do të thosha, sepse njeri i gjallë nuk vjen të na tregojë se çka është dhe çka do të ndodhë. Ne kemi shumë probleme. As që mund të ecim në atë rrugë sepse e kanë gërryer, jeni edhe ju këtu dhe mund të incizoni. Në këtë mini-udhëkryq gjithnjë rrjedh ujë dhe gjithnjë ka baltë, pavarësisht është dimër apo verë. Në këtë gjendje rruga është afro 5-6 muaj”, tha një banor.

“Ka mbetur rruga e zhveshur, bëhet ujë, kur bije shi bëhet baltë. Nuk na informon askush. Kemi kërkuar na kanë thënë është puna e tyre, kush e ka nisë ai le ta kryejnë. Kështu na kanë thënë. Balta e gjitha na hyn brenda”, tha një tjetër banor. 

“Nuk erdhi njeri, të na pyet, e as me të na tregoj, se kur do t’i rregullojnë dhe si do t’i rregullojnë. Gypat kanë plasur atje, ujti rrjedh dhe më hy në bodrum, masa nuk merr askush. Vetëm vijnë shikojnë edhe shkojnë. Rrugët i shihni vet si janë u këputën njerëzit duke i thyer veturat. Fëmijët me ra në atë gurë e thyen këmbën”, u shpreh një tjetër banor.

Nga Komuna e Çairit thonë se nuk mund të asfaltojnë rrugën pa i kryer ndërmarrja e ujësjellësit punët për ndërrimin e gypave dhe kyçjen e shtëpive në ato gypa.

“Për momentin, në rrugën Mendeleva në Gazi Babë, ende nuk kanë përfunduar punët të cilët janë nën kompetencë të ndërmarrjes “Ujësjellësi dhe Kanalizime”. Ata e kanë filluar procedurën por ende nuk e kanë përfunduar, tani duhet që të mundësojnë kyçjen e çdo shtëpie, në rrjetin e vendosur të kanalizimit në këtë zonë pas përfundimit të punimeve nga ana e ndërmarrjes publike, Komuna e Çairit do të realizojë procesin e nevojshëm të asfaltimit të kësaj rruge”, tha Kushtrim Alla, zëdhënës i Komunës së Çairit.

Përpos mungesës së asfaltit, banorët ankohen se ende nuk janë kyçur në gypin e ri të ujësjellësit të vendosur nga ndërmarrja publike “Ujësjellës dhe Kanalizime”, dhe nuk dinë se si të veprojnë, të kyçen vet ose të presin që të kyçen nga ndërmarrja. E për këtë, nga ndërmarrja e lartë përmendur për TV21 shkurt pohojnë se punimet në këtë lagje do të fillojnë këtë të enjten dhe premtojnë se do t’i përfundojnë për kohë të shkurtër pavarësisht faktit se bëhet fjalë për shumë shtëpi të cilët do të duhet të kyçen në gypin kryesor.