Gazetari amerikan ndërron jetë gjatë ndeshjes në Katar

TË FUNDIT

Gazetari amerikan, Grant Wahl, ka ndërruar jetë në Katar, gjatë ndeshjes çerekfinale mes Holandës dhe Argjentinës. Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit të SHBA, por edhe nga familja e tij.

48-vjeçari, i cili punonte për CBS Sports dhe Sports Illustrated, humbi ndjenjat dhe u rrëzua në stadiumin Lusail në Katar. Pas një tentative për reanimim kardiopulmonar, ai u dërgua në spital, ku u konstatua i vdekur. Nuk dihet nëse ai ka vdekur në fushë apo gjatë transportimit për në spital.

Grant Wahl, para se të ndërronte jetë deklaroi se në ndeshjen e Kupës së Botës midis SHBA-së dhe Uellsit ai u ndalua për rreth gjysmë ore pasi kishte veshur një bluzë pro-LGBTQ. Vëllai i tij, Eric Wall, shprehu dyshime në lidhje me vdekjen e gazetarit.

“Vëllai im ishte i shëndetshëm. Ai më tha se kishte marrë kërcënime për jetën. Nuk mund ta besoj që vëllai im vdiq kështu. Besoj se e vranë. Dhe unë ju lutem për çdo ndihmë”, tha ai në një video të postuar në Instagram.