Kontrolli i grupeve të militantëve ekstremistë dhe bandave kriminale që rrëmbejnë dhe vrasin gazetarët, të kombinuara me rritje të represionit të qeverisë në kauzen kundër terrorizmit, ka krijuar kërcënimin më të madh ndaj gazetarisë në kohët e fundit, thuhet në raportin më të ri vjetor, të publikuar dje, të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), me seli në New York.
Grupet ekstremiste dhe qeveritë që e kufizojnë lirinë në luftën kundër ekstremizmit, e krijuan “periudhën më vdekjeprurëse dhe më të rrezikshme për gazetarët në historinë më të re”, shkruan “The New York Times”.
“Gazetarët janë duke u kapur në një terror dinamik, në të cilin ata janë të kërcënuar nga aktorë joshtetërorë që i kanë si shënjestër ata dhe qeveritë që kufizojnë liritë qytetare, duke përfshirë lirinë e shtypit në emër të luftës kundër terrorit”, tha Joel Simon, drejtor ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve gjatë publikimit të raportit.
Në raportin vjetor “Sulmet ndaj shtypit”, Komiteti e veçon Sirinë si vend tejet të rrezikshëm për punën e gazetarëve, theksohet censura gjatë epidemisë së ebolas, si dhe arrestimi i gazetarëve në Egjipt dhe Etiopi, por edhe fakti se vitin e kaluar gazetarët janë përdorur në filma ekstremistë propagandistikë.
CPJ tregon se kërcënimi ishte veçanërisht i mprehtë për freelance (gazetarët e lirë) dhe gazetarët e pavarur, burimet dhe trajnimi i të cilëve shpesh janë të kufizuara, dhe të cilët mund të mos kenë ndonjë media të etabluar për t’i ndihmuar ata kur futen në telashe.
“Nuk është në pyetje vetëm jeta e gazetarëve, por edhe mundësitë e publikut që të mësojë se çfarë ndodh rreth tij”, shkroi gazetarja e CNN Christiane Amanpour.
Ajo cek se që nga viti 1992, që është viti kur CPJ nisi të mbajë evidencë, në botë janë vrarë më shumë se 1.000 gazetarë. Shumica e tyre kanë qenë freelance ose gazetarë lokalë
