Hotelierët dhe gastronomitë ankohen se Qeveria po kërkon mbrapsht ndihmën që ju kishte ofruar pas krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19, shkruan TV21. Ata thonë se autoritetet po kërkojnë që të kthehen mjetet financiare që u ishin shpërndarë nga Qeveria për të subvencionuar pagat e punëtorëve.
“Të gjithë gastronomëve që kanë marrë Kovid ndihmë nga Qeveria e RMV-së për të paguar pagat për shkak se na ndaluat punën, tani pasi na vendosët certifikata, na e rritët rrymën elektrike për 300%, në kohë kur është shpallur krizë, na kërkoni paratë mbrapsht në afate sa më të shkurtra”, shkruan Dejan Georgievski, gastronom.
Nga Drejtoria për të Ardhura Publike për TV21 thonë se kërkesa e tillë është bërë në përputhje me ligjin, respektivisht se pronarët kanë qenë me kohë të informuar për kushtet gjatë pranimit të ndihmës.
“Për procedura dhe kushtet për shfrytëzimin e kësaj mase punëdhënësit kanë qenë të informuar paraprakisht se kthimi i plotë ose pjesshëm apo moskthimi i tërësishëm i ndihmës financiare do varet nga llogaria përfundimtare vjetore që do dorëzon kompania me humbje që konkretisht parashihet me ligjin përkatës, si dhe kompania mos të ketë borxhe ndaj DAP gjatë asaj periudhe. Gjitha kompanitë të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për mos-kthyerjen e ndihmës financiare nga ligji përkatës, DAP ju ka dërguar vendime për kthim të ndihmës financiare në përputhje me ligjin”, tha zëvendësdrejtori i DAP, Abdul-Selam Selami.
