Gashi: Zgjedhja e Alban Kadriut për anëtar të Këshillit Gjyqësor u ndërpre, procedura do të përsëritet

TË FUNDIT

Zgjedhja e dy anëtarëve të rinj në Këshillin Gjyqësor është e duhur, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, menjëherë pasi dy anëtarët e rinj të këtij organi, Suzana Joshevska-Anastasovska dhe Arlinda Kadri-Shahinoviq, bënë betimin solemn para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

“Jam i sigurt se kemi marrë dy profesionistë të lartë dhe se ata do të jenë vlerë e shtuar për Këshillin dhe Këshilli më në fund do të mund të qëndrojë mbi baza të forta dhe të realizojë kompetencat e tij kushtetuese që ka”, tha Aleksandar Kambovski – Kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Joshevska u zotua se do të punojnë për forcimin e Këshillit Gjyqësor dhe rikthimin e integritetit të tij. Ajo më parë, si avokate, përfaqësonte një nga të akuzuarit në rastin me zjarret në Koçan, dhe për shkak të zgjedhjes së saj u shty edhe seanca.

“Së bashku do të arrijmë të ndërtojmë një institucion të fortë, hap pas hapi, me guxim, me përgjegjësi të llogaridhënëshme dhe durim, për të filluar të lëvizim në një drejtim pozitiv dhe për të rritur besimin në drejtësi. Mendoj se duhet të fillojmë të zbatojmë ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor, të miratojmë aktet nënligjore që lidhen me ligjin e ri dhe më pas të krijohet një bazë e mirë për të ndërtuar me forca të reja një institucion të fortë”, deklaroi Suzana Joshevska Anastasovska – Anëtare e Këshillit Gjyqësor.

Përveç Anastasovskës dhe Shahinoviqit, pritej të zgjidhej edhe Alban Kadriu, inspektor policie nga Tetova, i cili ishte propozuar nga VLEN dhe tashmë kishte kaluar në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, por për shkak të miratimit të ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor, kjo u shty. Kryetari i Kuvendit, Gashi, thotë se është e mundur që procedura të përsëritet.

“Më së shumti mendohet të përsëritet shpallja për shkak se kemi Ligj të ri dhe të gjithë anëtarët duhet të zgjidhen sipas ligjit të ri. Por këtë duhet ta vendosin si vendim kryetari dhe anëtarët e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime”, tha Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.

Kohët e fundit, koordinatori i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, deklaroi se së pari do të shohin nëse Kadriu përmbush kushtet dhe kriteret e reja si jurist të shquar – sipas Ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor, dhe më pas do ta propozojnë për seancë plenare. Për të kompletuar Këshillin, nevojitet të zgjidhet edhe një anëtar tjetër që duhet të vijë si propozim nga radhët e gjyqtarëve.