Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në emisionin Click Plus, foli edhe për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. I pari i Kuvendit, tha se nuk janë të sigurt nëse i kanë numrat për ta kaluar ligjin në Kuvend.
Mes tjerash kryeparlamentari shtoi se për ligjet çdo herë duhet dialog dhe se takimet mes deputetëve të jenë mënyra e artikulimit dhe gjetjes së zgjidhjes.
Gashi: Për ta hedh në votim dhe për ta dështuar……
TV21: Nuk i keni numrat e duhur për ta kaluar ligjin?
Gashi: “Po nuk i dimë, nuk jemi të sigurt për momentin dhe mendoj se duhet të flasim me deputetët të shohim të shohim a kemi mundësi dhe hapësirë politike, a ka gatishmëri që të kalohet ligji dhe të implementohet. Si po rrjedh implementimi, dhe pastaj kushdo që vjen në pushtet apo edhe ne vetë vitin tjetër. Të formohet trupi koordinativ në Qeveri kur të miratohet metodologjia, do ta përcaktojmë saktë se në cilin institucion cila metodë duhet të përdoret për të arritur deri te përfaqësimi i drejtë dhe adekuat.
Duke iu referuar kësaj deklarate të Gashit nga BDI thonë VLEN-i nuk ka fuqi politike për të mbrojtur interesat e shqiptarëve në Qeveri dhe se nuk është faktor vendimmarrës.
“Ky është një pranim i rëndë politik. Pas më shumë se dy vitesh pushtet, VLEN-i e pranon se nuk është faktor vendimmarrës, por patericë e VMRO-DPMNE-së. Për çështjet që prekin drejtpërdrejt shqiptarët, nuk vendosin ata dhe nuk kanë as guximin, as fuqinë politike për të siguruar mbështetjen e nevojshme”, thonë nga BDI.
Ndryshe Gashi në Click Plus tha se Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do ta hedh në votim kur do të vlerëson se është momenti i përshtatshëm. Nga opozita akuzojnë se po bëhet përpjekje për ta kontrabanduar ligjin në një moment kur do të mungojë opozita në sallë, gjë që Gashi e mohoi.
