Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në konferencën e KOSAP deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga politikat më të rëndësishme për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit, transmeton TV21. Ai theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së dhe se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Gashi gjithashtu nënvizoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të promovojë projekte infrastrukturore dhe ndërlidhjen rajonale, duke kontribuar në një Evropë më stabile dhe ekonomikisht të integruar.
“Zgjerimi i Bashkimit Evropian paraqet një nga politikat më të rëndësishme për stabilitetin afatgjatë, sigurinë dhe prosperitetin e tërë kontinentit evropian. Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian – jo vetëm nga aspekti gjeografik, por edhe për nga vlerat dhe historia. Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Përkatësisht, ndërlidhja sot paraqet element kyç për qëndrueshmërinë ekonomike, stabilitetin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm në kushte të rritjes së pasigurisë gjeopolitike dhe transformimit të zinxhirëve globalë të furnizimit. Republika e Maqedonisë së Veriut, si shtet me pozitë strategjike në udhëkryqin ndërmjet Evropës dhe hapësirës më të gjerë euroaziatike, ka rol aktiv në avancimin e ndërlidhjes rajonale infrastrukturore dhe transportuese. Përcaktimi i shtetit tonë është zhvillimi i bashkëpunimit aktiv rajonal, promovimi i projekteve infrastrukturore dhe kontributi drejt një Evrope stabile, të sigurt dhe ekonomikisht të ndërlidhur”, u shpreh mes tjerash Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
