Gashi kushtëzon ndryshimet kushtetuese/ Debati për rikonstruktimin e Qeverisë me sallë gjysmë të zbrazët

TË FUNDIT

Rikonstruktimi i Qeverisë me hyrjen e ASH-së, ndërsa me shkarkim të ministrave nga radhët e Alternativës, hapi kalkulime nëse me këtë ndryshim të kuadrove do të arrihet shumica e nevojshme edhe për Qeverinë edhe për ndryshimet kushtetuese. Para disa ditësh kur Alternativa paralajmëroi se po shkon në opozitë, kryetari i partisë Afrim Gashi tha se në të ardhmen do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese. Megjithatë dje si i ftuar në Alsat, vendosi kusht, së pari të pranohen amendamentet për luftë kundër korrupsionit pas çka do të votojnë për ndryshimet kushtetuese duke shtuar se nuk beson se të njëjtat mund të votohen gjatë këtij viti në Kuvend.

“Jo. Nuk ka mundësi, sidomos me veprimet e këtilla të Kovaçevskit dhe Ahmetit, mendoj se ata bënë vetëvrasje politike të partive të tyre, ndërsa me këtë vetëvrasje politike kanë kryer vrasje të ëndrrës evropiane. Me një kusht, nëse pranohet amendamenti për luftë kundër korrupsionit, ne propozuam amendament kushtetues derisa ishim pjesë e Qeverisë.”- tha Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.
Përveç Gashit edhe nga partia RDM paralajmërojnë se për përkrahjen e rikonstruktimit të Qeverisë, do të dorëzojnë kërkesë që në 100 ditët e para të fillojë procesi i vetingut dhe të zbatohet konfiskimi i pronës së përfituar në mënyrë ilegale për të pasur luftë efikase kundër korrupsionit, por edhe të bëhen ndryshime të Kodit penal për një njësi zgjedhore dhe lista të hapura. Për copëtimin e përkrahjes për Qeverinë, foli edhe Eli Panova nga VMRO-DPMNE, në ditën e tretë të debatit për rikonstruktimin e qeverisë.
“Kjo Qeveri, që ende nuk ka filluar së punuari, përkatësisht kjo qeveri e rikonstruktuar, megjithatë po shoh se nuk ka dëshirë të posaçme, që së shpejti të shkarkohen dhe të emërohen ministra të rinj. A nuk është kjo simptomatike? Është evidente se disa numra, kolegë, nuk janë dakord.
Debati në Kuvend për rikonstruktimin e Qeverisë filloi të hënën, por nuk pritet që i njëjti të mbarojë shpejt, për shkak se deputetët ende debatojnë mbi pikën për shkarkimin e ministrit të shëndetësisë, Bekim Sali, për shkak të numrit të madh të deputetëve që kërkuan fjalë por edhe për shkak të replikave dhe kundër replikave të shumta.”- tha Eli Panova, VMRO-DPMNE.