Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, paraqiti raportin dyvjeçar të punës së tij, duke vlerësuar se gjatë kësaj periudhe Kuvendi ka forcuar rolin e tij institucional dhe ka rritur praninë në arenën ndërkombëtare, përcjell TV21. Në fjalimin e tij, Gashi theksoi se Kuvendi ka qenë më aktiv se kurrë më parë në planin ndërkombëtar, përmes diplomacisë parlamentare, vizitave zyrtare dhe pjesëmarrjes në forume ndërparlamentare, duke mbështetur prioritetet strategjike të vendit për integrimin evropian dhe bashkëpunimin euroatlantik. Ai vlerësoi gjithashtu se gjatë mandatit të tij janë ndërmarrë hapa për rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe afrimin e Kuvendit me qytetarët, duke zgjeruar qasjen në informata dhe bashkëpunimin me mediat. “Kuvendi – shtëpi për të gjithë” ishte vizioni që udhëhoqi punën time, tha Gashi, duke shtuar se megjithëse dy vjet nuk mjaftojnë për realizimin e të gjitha reformave.
“Demokracia nuk ndërtohet për një ditë dhe kurrë nuk përfundon si proces. Prandaj, këto dy vite të mandatit tim nuk i shoh si qëllim përfundimtar, por si një hap në rrugën që vazhdon. Kjo ditë është një mundësi për të parë se çfarë kemi arritur së bashku dhe për të kuptuar sa shumë mbetet ende për t’u bërë. Dua t’i falënderoj deputetët nga të gjitha grupet parlamentare, shërbimin e Kuvendit, kabinetin tim, partnerët ndërkombëtarë, përfaqësuesit e mediave dhe çdo qytetar që me kritikat, propozimet dhe mbështetjen e tij ka kontribuar që Kuvendi të jetë një institucion më i mirë”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
